Policia kontrollë, Foto: KALLXO.com

Policia: Festimet për Vitin e Ri kaluan të qeta, pa incidente serioze

Festimet për Vitin e Ri kanë kaluar të qeta dhe pa incidente serioze, sipas Policisë së Kosovës.

“Nata e Vitit të Ri, ndërrimi i mot moteve, ka kaluar kryesisht i qetë, nuk është raportuar ndonjë rast apo incident madhor, me pasoja fatale, megjithëse në disa rajone janë raportuar disa incidente me lëndime trupore, dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit pakujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit” – thuhet në komunikatën e policisë.

Policia ka veçuar një rast në Prishtinë, ku një plumb bredhës ka goditur një qytetare, e cila është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.

Në konsultim me prokurorin, rasti është iniciuar si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Për të menaxhuar sigurinë gjatë periudhës së festave, policia thotë se ka hartuar dhe zbatuar një urdhër operativ për shtimin e masave të sigurisë dhe prezencës policore në lokacione apo ambiente ku pritej të ketë përqendrim apo prezencë më të madhe të qytetarëve gjatë festimeve.

Në fokus të këtij urdhri operativ ka qenë edhe mbikëqyrja dhe kontrolli në trafikun rrugor, menaxhimi i pikave kufitare përfshirë aeroportin ndërkombëtar.

“Policia e Kosovës uron të gjithë qytetarët që ky vit i ri (2024) të jetë vit i mbarë për të gjithë, të jetë vit i vazhdimit të bashkëpunimit dhe transparencës, gëzimit të lirisë dhe të drejtave njerëzore pa dallim, ku qytetarët e të gjitha komuniteteve të jetojnë dhe veprojnë të sigurt, të qetë dhe në harmoni të plotë me njëri tjetrin” – ka uruar policia qytetarët e Kosovës.

KALLXO.com sot ka raportuar se 22 pacientë të lënduar nga mjetet piroteknike e një i lënduar nga plumbi qorr kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.