Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia e Kosovës jep detaje për rrahjen në Kllokot

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me sulmin për të cilin u raportua ndaj një personi në Kllokot. Sipas njoftimit të organeve të rendit, bëhet fjalë për një rrahje në mes dy grupeve të personave pak orë pas mesnatës.

Si pasojë, një person ka marrë lëndime të lehta trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit për këtë rast nuk janë identifikuar ende.

“Rreth orës 03:20, ka pranuar një informatë për një rrahje në rrugën Kllokot-Viti. Njësitet policore, me urgjencë i janë përgjigjur rastit. Policia ka kontaktuar me ankuesit, por nuk kanë arritur të takojnë apo identifikojnë të dyshuarit e mundshëm. Pasi ankuesit ishin nën ndikim të alkoolit njëri 1.63 promila dhe tjetri 0.91 promila nuk janë intervistuar fillimisht” – thuhet në njoftim.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili rastin e ka cilësuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Policia njofton po ashtu se hetuesit policorë kanë vazhduar procedurat hetimore duke bërë shikimin e vendit të ngjarjes, përfshirë këqyrjen e kamerave të sigurisë që janë në atë zonë ku dyshohet të ketë ndodhur rasti.

Derisa më herët Zyra e Petar Petkoviq ka bërë të ditur edhe emrin dhe moshën e të riut serb që dyshohet se është sulmuar. Sipas tyre, i njëjti është sulmuar në Kllokot derisa mbrëmë po kthehej nga liturgjia e Krishtlindjeve ortodokse bashkë me vëllanë e tij.

Më 6 janar, në vigjilje të Krishtlindjeve ortodokse, një 11-vjeçar dhe një 21-vjeçar janë plagosur në Shtërpcë. I dyshuari për plagosjen e dy të rinjve serbë është arrestuar pak orë pas sulmit në Prevallë. I njëjti është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.