Policia e Kosovës demanton lajmet për pengimin e autobusëve të cilët po shkonin në protestën në Rudarë

Protesta e serbëve mbajtur sot në Rudarë të Leposaviqit ka përfunduar e qetë.

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës teksa ka thënë se protesta ka përfunduar pa ndonjë incident të raportuar.

Policia ka demantuar lajmet se gjoja autobusë me protestues të cilët kishin për qëllim shkuarjen në  protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Leposaviqit, janë penguar nga Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor.

“Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të  ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje”- ka njoftuar Policia.

Në njoftim thuhet se në protestën e mbajtur në Rudarë kanë qenë rreth 1 mijë e 500 pjesëmarrës.

Protesta e serbëve në Rudarë të Leposaviqit e cila ka filluar sot rreth orës 12:00 tashmë ka përfunduar dhe pjesëmarrësit e protestës janë ftuar të shpërndahen.

Para protestws, Policia e Kosovës sot apeloi për kujdes të shtuar si dhe bëri thirrje që të protestohet në mënyrë të qetë.

Policia apeloi për kujdes të shtuar e vëmendje në protestën që do mbahet në veri të Mitrovicës.

Qytetarët serb janë mbledhur në Rudarë të Leposaviqit pas thirrjes që bëri i ashtuquajturi ‘Shtabi i Krizave nga veriu i Kosovës’ për të protestuar.

Protesta në Rudarë, Komuna e Zveçanit, Foto: KALLXO.com

Në disa prej pankartave që janë mbajtur nga serbët gjatë protestës në Rudarë shkruhet “Kurti, Kosova nuk është paja jote por është toka e gjyshërve tanë”, “Doktorët nuk janë kriminelë”, “Kurti nuk mund ta ndalësh popullin”, “Nuk dua të hesht për terrorin e Kurtit”, “Kurti na kërcënon me vrasje, Evropa heshtë”, “Nuk kam lindur fëmijë për snajper të Kurtit”.

 

Qytetarët të shumtë janë parë duke marrë pjesë në këtë protestë, përderisa rrugës për deri tek lokacioni ku po mbahet protesta janë parë vetura të shumta.

Po ashtu, përgjatë rrugës janë parë edhe disa autobusë, targat e të cilëve janë të Beogradit.

Veturat e qytetarëve serb që do të marrin pjesë në protestën në Rudarë, Foto: KALLXO.com

Që nga 10 dhjetori, rrugët që të çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga barrikadat.

Vendosja e tyre erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili po dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Me vendosjen e barrikadave u mbyllën me vendim të Policisë së Kosovës edhe dy pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën me vendin e saj fqinj, Serbinë.

Dhjetëra vetura e qytetarë drejtë Rudarës për protestën e paralajmëruar