Ilustrim

Policia e Kosovës arreston dy shtetas turq të kërkuar ndërkombëtarisht

Dy shtetas turq, të dënuar në Turqi e të kërkuar me urdhër-arreste ndërkombëtare, janë arrestuar nga Policia e Kosovës në dy raste të ndryshme. Të dy pritet të ekstradohen në Turqi.

Të dy arrestimet janë bërë nga Njësiti për persona të arratisur (FAST Kosova), që vepron në kuadër të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), me ndihmën e stacioneve policore.

I arrestuari i parë, M.K., i lindur më 1960, është i dënuar me 22 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale – trafikim me narkotik.

Ai u arrestua sot rreth orës 9:30 në Viti.

Personi i dytë, I.K., i lindur më 1983, sipas njoftimit të Policisë, është i dënuar me 10 muaj burg për grabitje.

Arrestimi i tij u bë rreth orës 14:30, me asistimin e stacionit policor “Qendra” në Prishtinë.

Me urdhër të prokurorëve nga Prokuroria e Gjilanit dhe ajo e Prishtinës, të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Pas përfundimit të procedurave ligjore ku janë të përcaktuara edhe afatet kohore, personat në fjalë pritet të ekstradohen në Republikën e Turqisë” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, përfshirë në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.