Policia e Kosovë në aksion për të kontrolluar automjetet e transportit rrugor - FOTO

Policia në rajoni e Prishtinës ka filluar gjatë ditës së sotme një aksion për kontrollimin e automjeteve të transportit rrugor.

Policia ka bërë të ditur se këto kontrolle do të bëhen në kuadër të planit operativ “Kontrolli i automjeteve dhe mjeteve të transportit rrugor”, përmes së cilit synohet kontrolli i automjeteve dhe mjeteve transportuese në aspektin e qarkullimit rrugor dhe respektimit të masave kundër COVID-19.

“Po ashtu me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë dhe interesit të shëndetit publik, Policia e Kosovës është duke realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës ka bërë apel tek të gjithë qytetarët që t’u përmbahen rregullave dhe të respektojnë masat anti COVID, të mbajnë distancën, të vendosin maskën dhe të pastrojnë duart, në mënyrë që së bashku të  ndikojmë në ruajtjen e  shëndetit publik.