Policia e Gjilanit pajiset me maska

Deri sa kryetari i Komunës së Vitisë denoncoi se policia në po këtë qytet nuk kanë mjete mbrojtëse për tu përballuar me personat e infektuar me virusin corona, në anën tjetër Policia Rajonale e Gjilanit është pajisur gjatë ditës së sotme me pajisje shëndetësore.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, Drejtoresha e Stacionit Policor në Gjilan, Elmina Mahmuti.

Ajo shtoi se gjatë ditës së sotme komuna dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës kanë dërguar pajisje për zyrtarët policor që punojnë jashtë zyrave dhe në trafik.

“Po deri diku jemi pajisur sot për patrullat më urgjente policore. Janë maskat dhe dorezat dhe dezinfektuesit që janë sjellë sot. Këto pajisje na kanë dhënë komuna dhe policia në Prishtinë”, tha Drejtoresha Mahmuti për KALLXO.com.

Tutje shtoi se gjatë ditës së djeshme është bërë edhe dezinfektimi i Stacionit Policor në Gjilan.

“Ne jemi staf i gjerë por kemi, pë rata polic që janë në rrugë e trafik ka. Këto cka i kemi. Edhe stacioni policor është dezinfektuar gjatë ditës së djeshme nga ana e Komunës së Gjilanit. Nuk e di nëse ka përfunduar dezinfketimi në Viti sepse e di që ka pasur të dezinfektohet edhe stacionet policore në Viti e Kamenicë. Dezinfektimin e vazhdojmë sërish javën tjetër”, tha tutje drejtoresha.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi për denoncimin e Kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i cili tha se policia në po këtë qytet nuk kanë asnjë pajisje mbrojtëse shëndetësore për të parandaluar infektimin me virusin corona.

Kjo pasi që dje Komuna e Vitisë u përball me një rast me coronavirus ndërsa rasti i dytë në po të njëjtin qytet u bë zyrtare sot.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencën e sotme për media ku njoftoi edhe për rastin e tretë të prekur me Coronavirus, ka folur për pajisjet mbrojtëse të zyrtarëve shtetërorë që janë duke punuar në luftën kundër kësaj sëmundje.

Ai shtoi se Policia e Kosovës nuk ka nevojë për maska. Sipas tij, të gjithë ata që punojnë në hapësira të jashtme, nuk kanë nevojë për maska.

“Nuk ka furnizime por policia nuk ka nevojë për maska, askush që është duke operuar në vend të hapur nuk ka nevojë për maskë”, Arben Vitia.