Polemika në Kuvend rreth deklaratave të deputetes Geci për "vrasjet e pasluftës"

Në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti i PDK-së Fadil Nura, tha se edhe pas 20 vitesh triumfuesit ndaj regjimit të Millosheviqit po ballafaqohen me propagandën shpifëse, e trilluese të mbetur të atij regjimi.

Kjo propagandë, sipas tij erdhi, edhe në Kuvend.

Rragimi i Nurës erdhi disa ditë pasi një deputete e LDK-së, Marigona Geci, kishte përmendur në Kuvend “vrasjet politike” të pasluftës.

“E gjithë kjo u shpërfaq me vite të tëra… Nga disfata në proceset zgjedhore, për një grusht vota, në mungesë të kapaciteteve dhe alternativave e ideve të cytur nga xhelozia e ndoshta edhe nga porosia duke shpërfill përgjegjësinë për fjalën publike nga kjo foltore derdhën llum shpifjesh, gënjeshtra, trillime ndaj luftës çlirimtare dhe udhëheqësve të saj”, tha ai.

E për këtë deklaratë, kishte replikë Marigona Geci deputete e LDK-së e cila tha se nuk ia vlen të merret me deklaratat e Nurës.

“Merreni me mend deri ku ka mbërri soji juaj i politikës ju po e shani familjen Jashari që nuk po mëndin njëjtë si ju, po e shani djalin e Hamëz Jasharit e nuk po e shani vajzën e Gani Gecit. Vetëm në këtë vend urdhërdhënësi i vrasjeve është hero dhe viktima është hero… Nuk ia vlen me u marr unë me juve. Qoni prej varri ata të cilët u vranë që ne mos të merremi me ata që na vranë”, tha ajo.

E deputeti Nura shtoi se ka ardhur dita “të demaskohen shpifjet e trillimet”.

“Unë e kisha me çështjen e shpifjeve dhe trillimeve dhe ka ardh dita t’i demaskojmë shpifjet e trillimet me fakte e argumente dhe me fuqinë e argumenteve”, tha ai.

Deputetja Geci kishte tërhequr nënshkrimin nga seanca kur po votohej projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike duke thënë se hapi i saj lidhet me iniciativën për seancë e cila ishte marrë nga PDK.

“Nënshkrimin tim e kam tërhequr nga iniciativa e PDK-se sepse edhe më herët kam pasur informacione, por tani ani e di saktë nga një aktakuzë publike se kryetari dhe ish-kryetari i partisë suaj  janë të dyshuar për vrasjet politike në Kosovën e pas luftës”, kishte thënë ajo.

VIDEO – Marigona Geci flet për vrasjet e pasluftës, polemika në Kuvend