Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përplasje mes ministres Haxhiu dhe deputetit Tahiri për zjarrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore

Rasti i zjarrit që përfshiu objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore ka ngjallur një serë diskutimesh në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku ndodhen edhe polemika të ashpra mes ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ministrja Haxhiu teksa u përgjigj në çështjet e ngritura nga opozita tha se po të ishte si deputeti Tahiri do të kishte turp me fol për këtë çështje pasi, sipas saj, në kohën kur ka ai qenë ministër i drejtësisë nuk ka adresuar asnjë problem të IML-së.

“Me qenë si ti, mua më kish ardh turp me fol, sepse ke qenë ministër i drejtësisë dhe na thuaj këtu cili ka qenë ndonjë veprim i yti për t`i adresuar problemet të cilat i ke pas në IML. Asnjë të vetëm, asnjëherë, sepse nuk e ke pas interesin me rregullu probleme në Institucione. Keq ma ke lënë Institutin, keq ma ke lënë Shërbimin Korrektues”- tha Haxhiu.

Ndërsa, në kundërpërgjigjen e tij për këtë çështje, deputeti Tahiri ka përmendur rastin e humbjes së mostrave të Astrit Deharit.

Ai tha se në kohën sa ka qenë ministër i Drejtësisë nuk është përball më këso raste e as me zjarrvënie.

“Më pas humb mostrat e rastit Dehari në kohën time, jo që nuk kisha mujt me vazhdu punën e ministrit por nuk kisha mujt as me qëndru në skenën publike. Në kohën time nuk ka përjetu avari të tillë, humbje të mostrave, zjarrvënie”- u shpeh Tahiri.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka njoftuar se do të propozojnë themelimin e komisionit hetimor parlamentar për djegien e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Tahiri ka thënë se për këtë rast ende nuk ka raport se çfarë dëme janë shkaktuar nga ky zjarr.

Dy zyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore u kapluan nga zjarri në orët e hershme të së martës.

Njëra nga këto zyre i takon edhe drejtorit të IML-së, Ditor Halilit, e njoftimet zyrtare kanë bërë me dije se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së Institutit dhe mostrave.