
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
‘Përplasja’ e kandidatëve për stadiumet e futbollit në Lipjan
Kandidatët për kryetar të Lipjanit në Debat Pernime kanë polemizuar për mos përfundimin e ndërtimeve të stadiumeve të futbollit në qytet, dhe lokalitete tjera siç është stadiumi i Klubit Futbollistik “Arbëria” në fshatin Dobrajë e Madhe.
Kandidati nga radhët e LVV-së për kryetar të Lipjant, Adnan Rrustemi ka thënë se stadiumet nuk janë funksionale.
“Janë shpenzuar mbi 1 milion e 400 mijë euro për tri stadiume të qytetit dhe sot nuk kemi ende një stadium funksional. Në Lipjan nuk ka përfunduar ende, në Dobrajë në Magurë sot është një gërmadhë e madhe”, tha ai.
Më pas reagoi kandidati i LDK-së dhe kryetari aktual Imri Ahmeti.
“Në fakt stadiumi i Lipjanit është i gatshëm, brenda 5-6 ditësh 10 ditësh do ta kemi në Dobrajë. Besoj do të ju ftoj juve me ardhë me i shiku ndeshjet bashkë. Kështu keni thënë edhe për sheshin dikur, po bëhen varreza, por i kemi shfrytëzuar bashkërisht”, tha ai.
Ai tha se do ta sigurojë Dobrajën e Madhe që shumë shpejt do të përfundojë stadiumi dhe Klubi “Arbëria” do të kthehet në SuperLigë të Kosovës.
Kurse, kandidati i PDK-së, Hyzer Rizani tha se nuk duhet të hedhet faji te klubi i futbollit.
“Ata i kanë zhvilluar ndeshjet në Shtime, në Ferizaj. Nuk kemi qenë në gjendje me iu krijuar kushte atyre të luajnë futboll”, tha ai.
Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Lipjanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.
Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Lipjanit: Adnan Rrustemi nga LVV; Bashkim Budakova nga AAK; Hyzret Rizani nga PDK dhe Imri Ahmeti nga LDK.
Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Lipjanit: Egzona Bytyqi dhe Lumturije Bytyqi Hasani nga PDK; Hyra Bytyçi dhe Safete Amerllahu nga LDK; Majlinda Agushi nga AAK dhe Shahadije Dragaqina nga LVV.
Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.