Xhyle Hoti Korpuzi

Thyerja e paragjykimeve me zgjedhjen e një kryetareje grua në Shalë të Lipjanit - VIDEO

Teksa Xhylë Hoti-Korpuzi, po i afrohet moshës së pensionit, nuk është koha që ajo të mendojë për pushim.

Tashmë në të gjashtëdhjetat e saj, mësuesja e edukatës fizike në shkollën fillore “Ibrahim Banushi” të fshatit Shalë të Lipjanit, ka 40 vite përvojë në edukimin e të rinjve.

Xhylë Hoti-Korpuzi gjatë përditshmërisë së saj si mësimdhënëse. FOTO: KALLXO.com.

Një përgjegjësi e radhës u shtua mbi supet e Xhylës kur në nëntor të 2022-ës ajo u zgjodh kryetare e fshatit – punë kjo jo e zakonshme për një grua në një shoqëri të dominuar nga burrat.

Hoti-Korpuzi për rreth 37 vite ka marrë pjesë nëpër aktivitete të ndryshme në komunitet përmes të cilave ajo ka shpalosur kontributin e saj në shoqëri.

Angazhimi i saj i parë në komunitet, në vitet 1980, ishte si kryetare e Lidhjes Rinore në fshatin e saj të lindjes, Ribar i Madh. Më vonë ajo u bë udhëheqëse studentore në konviktin e Universitetit të Prishtinës.

Por, roli i saj i parë i rëndësishëm erdhi pas luftës për pavarësinë e Kosovës, kur ajo u zgjodh anëtare e Kuvendit Komunal të Lipjanit në vitin 2002.

Teksa Xhyla kujton momentin kur u zgjodh kryetare e fshatit, ajo thekson lumturinë si emocionin kryesor të asaj dite. Megjithatë, Hoti-Korpuzi nuk e mohon se edhe ajo ka mbetur e befasuar nga ky vendim.

“Zgjedhjen si kryetare e Shalës, e kam pritur jashtëzakonisht mirë kur e di se të gjithë nxënësit e mi apo edhe prindërit më të vjetër njëzëri më kanë përkrahur” – është shprehur mësimdhënësja.

“Me të vërtetë ka qenë një befasi për mua se kemi prezantuar afër 50 kandidatë, dhe të kandidohem vetëm e kam ndjerë me të vërtetë një  detyrë të rëndësishme për të cilën do të mundohem gjithsesi ta jap kontributin tim” – ka shtuar ajo.

Xhyle Hoti Korpuzi. FOTO: KALLXO.com

Në anën tjetër, Izet Shala, drejtor i shkollës fillore “Ibrahim Banushi” në Shalë ku Xhyla punon, tha se është i kënaqur që e para kryetare grua në këtë fshat është mësuese në institucionin arsimor që ai drejton.

“Për mua është një ndjenjë e mirë sepse puna e saj e palodhur ka treguar rezultate dhe ka e bërë punëtoren e shkollës sonë kryetare të Shalës. Ma merr mendja që arsimtarja Xhylë do t’ia dalë punëve dhe detyrave që i ka para vetes”, tha ai.

Izet Shala, drejtor në SHFMU “Ibrahim Banushi” në Shalë të Lipjanit. FOTO: KALLXO.com

“Të punosh në një fshat me 600 shtëpi dhe 2,500 banorë nuk është një detyrë e lehtë, por mësuesja Xhylë e ka potencialin që mundet me punu”- shtoi drejtori.

Në mesin e banorëve që morrën pjesë në zgjedhjen e kryetares së re të Shalës ishte Trimor Shamolli, bibliotekist në këtë fshat.

Shamolli shpjegoi për KALLXO.com se si funksionon procesi i përzgjedhjes së përfaqësuesit të fshatit.

“Fillimisht njoftimi është bërë në faqen zyrtare të komunës. Pastaj u mblodhën të gjithë banorët e fshatit, ishim mjaft të interesuar, kështu që morëm pjesë një numër i madh prej nesh. Pastaj zgjodhëm përfaqësuesit e lagjes, një nga çdo lagje”- tha ai duke shpjeguar se si zgjidhet këshilli.

“Çdokush ka të drejtë të jetë anëtar i këshillit dhe në atë kohë 11 anëtarë të këshillit konsideroheshin më të mirët nga fshati”- shtoi ai.

“Më pas erdhi kandidatura e mësueses Xhylë. Kjo gjë më pëlqeu shumë, pasi më herët kam qenë nxënës i saj, ndaj edhe e njoh aktivitetin e saj, kështu që nuk hezitova ta votoja. Ishte kënaqësi për mua të votoja për të”, tha Shamolli.

Trimor Shamolli, banor i fshatit Shalë. FOTO: KALLXO.com

Ish-nxënësi i Hoti-Korpuzit tha se gratë nuk duhet të hezitojnë të kandidojnë për poste të tilla.

“Ishte mirë kur dëgjova se është hera e parë në komunën tonë që një grua zgjidhet kryetare e një fshati, sepse edhe gratë janë të afta për një punë të tillë, apo çfarëdo pune tjetër. Jam i lumtur që është zgjedhur një grua dhe jam krenar për mënyrën se si ajo përfaqëson fshatin,” tha Shamolli për KALLXO.com.

Përveç se do t’i shërbejë komunitetit, Hoti-Korpuzi shpreson se puna e saj do të inkurajojë pozitivisht edhe gratë e tjera të fshatit që të angazhohen më shumë në shoqëri.

“Çdo grua e shkolluar duhet të japë një kontribut jo vetëm brenda familjes por edhe në shoqëri, në dobi të komunitetit, sepse shoqëria ka nevojë për kontributin e gruas”- tha Hoti Korpuzi.

“Ka ardhur koha për të ecur përpara dhe për të qenë të bashkuar. Gratë duhet ta bëjnë këtë”, përfundoi ajo.

Krahas përfaqësimit të banorëve të fshatit dhe dëgjimit të ankesave dhe kërkesave të tyre, mbajtja e evidencës së gjendjes në familjet është ndër përgjegjësitë kryesore të përfaqësueses së fshatit.