Përleshje fizike në Prishtinë, lëndohen tre persona, njëri shoqërohet në Polici

Tre persona kanë mbetur të lënduar pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur në Prishtinë në rrugën “Ibrahim Lutfiu” para më pak se një ore.

Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka treguar se Policia menjëherë pas marrjes së informatës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Po ashtu ajo ka treguar se në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur një armë zjarri dhe po kryen procedurat e sekuestrimit.

“Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se gjatë përleshjes, janë lënduar tre persona, njëri prej tyre është  shoqëruar në stacion policor” – ka thënë Ahmeti.

Zëdhënësja ka treguar se aktualisht hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.