Përleshja në qendrën tregtare në Prizren, ngritet aktakuzë ndaj tre personave

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave pasi që të njëjtit kanë kryer veprat penale, lëndim i lehtë trupor, sulm dhe kanosje.

B. A., 22 vjeçar dhe B. A., 45 vjeçar sipas prokurorisë më 21 nëntor të këtij viti, rreth orës 18:38, në njërën prej qendrave tregtare në Prizren, në bashkëkryerje i shkaktojnë lëndime trupore një personi me inicialet T. Ç.

E gjitha ka nisur sipas aktakuzës, kur është kërkuar që brenda qendrës tregtare të vendoset maska për të respektuar masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Sipas prokurorisë, 22 vjeçari dhe 45 vjeçari e sulmojnë fizikisht T. Ç., duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, duke e rrezuar për toke, me ç’rast të njëjtit i kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Në anën tjetër, prokuroria ka treguar se të pandehurit T. Ç., dhe A. B., me datë, kohë dhe vend të njëjtë, për shkak të një mosmarrëveshjeje fillimisht në mes të pandehurit T. Ç., dhe të dëmtuarit B. A. në lidhje me vendosjen e maskës, e sulmon fizikisht duke e kapur me duar për rroba e për gjoksi e duke e tërhequr, e më pas duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, ku në ndërkohë ndërhynë edhe i pandehuri A. B., duke e goditur me shqelma të dëmtuarin B. A., në pjesë të ndryshme të trupit, me ç ‘rast të njëjtit i shkaktojnë lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime të pandehurit T. Ç., dhe A. B., në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Sulmi”.

Po ashtu, sipas aktakuzës i pandehuri  T. Ç., seriozisht i kanoset personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose do t´i shkaktoj lëndim të rëndë trupor, në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjes apo zënkës në mes të pandehurit dhe të  dëmtuarit B. A., në lidhje me vendosjen e maskës, kah fundi i konfrontimit fizik në mes tyre e kanosë më fjalë, me ç’ rast tek i  dëmtuari shkakton ankth, frikë dhe pasiguri.

Me këto veprime i pandehuri T. Ç., ka kryer veprën penale “Kanosja”.

KALLXO.com pati raportuar në lidhje me ngjarjen që kishte ndodhur në një qendër tregtare në Prizren.

Prokurori i kishte liruar në procedurë të rregullt të dyshuarit.

 

Detajet e plota të rrahjes në qendrën tregtare në Prizren