Detajet e plota të rrahjes në qendrën tregtare në Prizren

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohen pamjet e incidentit që eskaloi në rrahje në mes të personave të sigurimit dhe anëtarëve të një familje të komunitetit rom.

Ngjarje kishte ndodhur ditë më parë në një qendër tregtare në Prizren.

Ditë me parë, në media u transmetuan pamjet se si pjesëtaret e sigurimit kishin sulmuar dy anëtarë të komunitetit rom, por kjo video nuk ishte e plotë.

Për dallim nga ato pamje, KALLXO.com ka siguruar edhe një video ku shihet se si ka nisur konflikti dhe se të dy palët ishin përfshirë në dhunë.

Në video shihet se si dy pjesëtarët e komunitetit rom përleshen me sigurimin e një qendre tregtare në Prizren.

Lëndime sipas prokurorit Beqë Shala kanë qenë të lehta në të dy anët dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që prokurori nuk kishte kërkuar ndalimin e të dyshuarve në këtë rast.

KALLXO.com kishte provuar të marrë një koment nga anëtari i familjes që u përfshi në këtë incident, i cili ka dhënë shkurt versionin e tij për ngjarjen.

“Për një maskë për 20 centë kaq kiamet me bo, paramendoje në shtetin tënd, në qytetin tënd, sigurimin tënd, sigurimi me të sjellë, kjo veç këtu po bëhet se tjetër kah jo… Nuk jam në gjendje, fëmijët stres, shoqja stres, nuk po dimë hiç, marrja, marri e madhe, marri e madhe, s’po di edhe qysh me t`u sjellë”, ka thënë B.A. i përfshirë në këtë rast.

“Kallxo Përnime”, kishte provuar të marrë një koment edhe nga qendra tregtare ku ka ndodhur rasti, por ata nuk kanë pranuar të flasin.

Reagimet për këtë rast kanë qenë shumë të shumta, pasi që incidenti u cilësua si sulm dhe diskriminim ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.