Përkeqësohet gjendja e Rada Trajkoviqit, transferohet në spital

Rada Trajkoviqit, këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore përderisa gjendej në ndalim në pikën kufitare në Merdarë.

Kështu ka bërë të ditur vajza e saj, e cila tha se Trajkoviq është dërguar me ambulancë në Spital në Prokuple.

“Mami sapo është transferuar me ambulancë në Prokuple, pasi shëndeti i saj është përkeqësuar papritur. Ekzaminimi tregon shenja të hershme të pneumonisë. Ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj dhe do t’ju mbajmë të përditësuar për statusin e saj”- thuhet në postim.

Trajkoviq dje gjatë ditës ka thënë se është ndaluar në pikën kufitare në Merdarë nga policia serbe.

Sipas saj, dokumentet i janë marrë dhe nuk po lejohet të hyjë në Kosovë.

Ditë më parë, Rada Trajkoviq, u emërua këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Sot, në një konferencë për media foli edhe vetë Rashiq. Ai kërkoi nga ekzekutivi që t’i shkruajë vendeve të QUINT-it për lirimin e këshilltares së tij, Rada Trajkoviqit.