Përgjysmohet paga e Kryeprokurorit dhe kryetarit të Gjykatës Supreme

Miratimi i koeficientit të pagave pritet ta përgjysmojë pagën e gjyqësorit. Nga 3,450 euro sa aktualisht marrin Kryeprokurori i Shtetit dhe kryetari i Gjykatës Supreme, me Ligjin e ri për paga pritet të jetë 1,785 euro apo 1,665 euro më pak.

Ulje vërehet edhe në pagat e Prokurorëve special. Nga rreth 3 mijë euro sa aktualisht marrin, me ligjin e ri paga e tyre pritet t’i marrin rreth 1,627 euro apo 1,373 euro më pak.

Ulje vërehet edhe në pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në gjykatat themelore.

Nga rreth 2 mijë sa aktualisht marrin, pagat e tyre pritet të ulën në 1260 euro apo 740 euro më pak.

Kjo ulje u konfirmua me publikimin e vlerës së koeficientit nga Qeveria e Kosovës. Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i vendit ka njoftuar se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro ndërsa në vitin e ardhshëm 110 euro.

Pagat e gjyqësorit ishin ulur gjatë muajit nëntor të vitit 2022, përmes një vendimi të Qeverisë së Kosovës me të cilin ishte anuluar vendimi i Qeverisë Haradinaj, i cili kishte rritur pagat e gjyqëtarëve dhe prokurorëve.

Mirëpo më 24 nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata. Ky vendim erdhi si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kthim të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve sikurse në vitin 2017.

Më pas duke vendosur sipas propozimit të sindikatës së prokurorëve, Gjykata e Prishtinës dhe ajo e apelit e kishin pezuluar vendimin e qeverisë duke i lënë në fuqi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas vendimit të qeverisë Haradinaj.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.