Foto: Arben Vitia / Facebook

Premtimi i Arben Vitisë për shtesat e mjekëve që ende s’po jetësohet

Në muajin e parë të këtij viti, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u pati premtuar mjekëve specialistë që që punojnë vetëm në sektorin publik, para shtesë, me 25% të pagës.

Tani, në muajin e fundit të vitit, kur kanë kaluar gati 11 muaj, ky premtim që synonte mbajtjen e mjekëve në sistemin publik, nuk është realizuar ende.

“Do të ketë një rregullore, sipas së cilës, në momentin kur mjeku specialist deklaron se do të punojë vetëm në sistemin publik, do të ketë shtesë. Është një nga insentivat për t’i mbajtur mjekët në sistemin publik” – pati deklaruar Arben Vitia, në ATV, më 26 janar.

Të njëjtin premtim e pati dhënë edhe gjatë një vizite të tij në Ferizaj, më 2 shkurt. Për këtë zotim, ai pati thënë se nuk mund të japë kohë të caktuar.

Katër ditë më pas, kishte hyrë në fuqi Rregullorja për Shtesën e Nëpunësit Shëndetësor, e cila përcakton procedurën për fitimin e shtesës, vlerën, kategorinë, periudhën e përfitimit e çështje të tjera.

Megjithatë, kjo rregullore nuk është zbatuar ende.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministri të Shëndetësisë se kur do të realizohet ky premtim dhe se çfarë hapash janë ndërmarrë për realizimin e tij.

Në dy rreshta përgjigje, Ministria ka thënë se ka kërkuar nga tri nivelet e kujdesit shëndetësor që të përgatiten listat për mjekët specialistë që punojnë vetëm në sektorin publik, për të dërguar më pas kërkesat për këto shtesa në Ministri të Financave.

Sipas rregullores, përfitues të shtesës janë vetëm mjekët specialistë. Vlera e shtesës do të jetë deri në 25 për qind të pagës bazë të nëpunësit. Koeficienti i pagës bazë të mjekut specialist është 12, që do të thotë se paga është 1,260 euro. Rrjedhimisht, me këtë shtesë, vlera e shtesës mund të jetë deri në 315 euro.

Neni 5 i kësaj rregulloreje përcakton disa kritere që duhen plotësuar për të përfituar këtë shtesë. Disa prej kritereve janë vlerësim pozitiv i performancës nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, konfirmim nga Oda e Mjekëve se nuk ka shkelje të Kodit të Etikës, vërtetim se nuk ka masë disiplinore dhe nuk është duke u zhvilluar hetim apo procedurë gjyqësore ndaj tij, e as nuk është i dënuar për vepër penale lidhur me ushtrimin e detyrës dhe vepra të korrupsionit.

Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) konfirmoi për KALLXO.com se sipas kërkesave, ka lëshuar dokumente për pastërtinë etiko-profesionale, por mjekët nuk kanë marrë ende shtesat.

“Sot i kemi kontaktu rreth 20 vetë prej këtyre që janë në listë, që i kanë marrë këto dokumente, dhe të gjithë na thanë që asnjë nuk e kanë marrë shtesën. 10 prej tyre thanë që u kanë thënë me riapliku. Dy apo tre prej tyre u ankuan se disa janë eliminuar për shkak se marrin mëditje nga organizata joqeveritare” – tha Pleurat Sejdiu, Kryetar i Odës së Mjekëve.

Sejdiu tha se megjithëse kjo mundësi krijon ndasi mes mjekëve, si organizatë nuk kanë dalë me një qëndrim pro apo kundër, për shkak se të gjithë janë njësoj për ta.

Kreu i OMK-së tha se një ndihmë e tillë për mjekët që nuk punojnë në sektorin privat është i mirëseardhur, sepse jo të gjithë mund ta gjejnë veten në atë sektor.

“Është më vështirë që të depërtohet në sektorin privat. Sidomos klinicistët e ri e kanë të vështirë ta gjejnë veten në spitalet private, përveç atyre që e kanë një përvojë apo e kanë zënë hapin me kohë” –  shtoi Sejdiu.

Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Tevide Imeri tregoi për KALLXO.com se ka pranuar ankesa të ndryshme nga punëtorët shëndetësorë lidhur me këtë premtim.

Disa ankohen për mosrealizimin e tij, e të tjerë e shohim si diskriminues.

Imeri tha se ka doktorë që janë ankuar se pse kjo shtesë të jetë veç për ata që punojnë vetëm ën sektorin publik, përderisa të gjithë doktorët punojnë me orar të njëjtë.

“Mua më janë ankuar doktorët sepse thonë që normën po e bëjmë të njëjtë, pse ky duhet me u pagu kur unë i kontrolloj 40 pacientë, aq i kontrollon edhe ai, punë e madhe ku shkoj unë masandej” – tha ajo.

Këtë ankesë ajo tha se e ka adresuar edhe te Ministri Vitia.

Imeri tha se ka pranuar edhe ankesa të llojit “Pse nuk po jepen ende këto shtesa?”.

Këtë zotim, edhe ajo vetë e sheh si diskriminues edhe ndaj infermierëve që punojnë vetëm në sektorin publik.

“Është diskriminim edhe ndaj infermierëve. Pse s’po ju jepet edhe atyre kjo e drejtë? Kjo mundet me nxjerr përçarje, probleme” – u shpreh Imeri.

Ikja e mjekëve dhe infermierëve nga sektori publik shëndetësor dhe për të kaluar në sistemin privat apo për të migruar në vendet perëndimore është problem që e përcjell shëndetësinë tash e disa vite.