
Pamje nga fillimi i takimit trepalësh në Ohër
Përfundon takimi Kurti- Vuçiq në Ohër
Ka përfunduar takimi trelateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian.
Pas takimit, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i BE-së, Josep Borrell pritet të mbajë konferencë për media.
Komisioni Evropian ka publikuar pamje brenda takimit trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i cili është zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq dhe ndërmjetësit e BE-së, Josep Borrell e Miroslav Lajcak ka filluar pas orës 15:00.
Para se të fillojë takimi, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i BE-së, Josep Borrell, ka takuar veç e veç liderët e të dyja vendeve.
Para takimeve, Borell tha se sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor sot janë kthyer kah Ohri.
“Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor sot janë të kthyer kah Ohri. Pas një rrugëtimi diplomatik midis Beogradit dhe Prishtinës, do të diskutojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti Aneksin e Zbatimit – një pjesë integrale e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”- ka shkruar Borrell.
Takimi i Ohrit ishte paralajmëruar më datën 27 shkurt, ku u zhvillua një takim me dakordim për planin franko-gjerman, mirëpo pa marrëveshje të nënshkruar.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-të vazhdimisht kanë kërkuar nga palët ta pranojnë planin franko-gjerman, pasi që sipas tyre kjo është një marrëveshje e mirë për të ardhmen e të dyja vendeve.
Përmbajtja e planit franko-gjerman