Për tre ditë 148 persona u vendosën në karantinë në Qendrën e Studentëve

Qeveria e Kosovës ditëve të fundit ka marrë një varg masash dhe vendimesh në lidhje me parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Njëri nga vendimet ka qenë që qytetarët e Kosovës të cilët vijnë nga shtetet e jashtme dhe të gjitha vendeve ku ka raste të konfirmuara me coronavirus, do të izolohen për 14 ditë.

Qendra e Studentëve është kthyer në karantinë, por para se të vendoseshin qytetarët, ishte bërë dezinfektimi i hapësirave dhe dhomave të qendrës.

KALLXO.com ka kontkatuar me Zëvendësministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Izet Sadiku i cili dha detaje për personat e karantinuar deri më tani.

“Pra deri më sot i kemi 148 persona që kanë ardhur nga kufinjtë ajrorë apo tokësor në Kosovë nga shtetet e jashtme. Sot kanë ardhur gjashtë, dhe janë vendosur në izolim sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës”, tha Sadiku.

Ai shtoi se pjesa e izolimit do të ndihmoj që të parandalohet përhapja e coronavirusit dhe në këtë mënyrë do të ketë më pak të prekur.

Deri më sot, 28 raste janë konfirmuar pozitiv me COVID-19.

Gjatë ditës së sotme një person i cili ishte vendosur dje në karantinë në Qendrën e Studentëve ka dalë pozitiv me coronavirus.

Sipas të dhënave të fundit numri i të prekurve në botë me coronavirus ka arritur në 303 mijë e 484 persona. Numri i të vdekurve ka shkuar në 12 mijë e 964, ndërsa i të shëruarve 94 mijë e 688.