Mjegulla në Fushë Kosovë

Për shkak të mjegullës, Policia apelon shoferët të kenë kujdes gjatë vozitjes

Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë shoferët që të kenë kujdes gjatë vozitjes, për shkak të mjegullës në vendin tonë.

Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, Policia ka kërkuar që të përdoren dritat e mjegullës.

“Nëse automjeti juaj i ka këto drita kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët e tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe.Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. Mbani vëmendjen, mos shpejtoni!Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë! Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët e tjerë t’ju shohin” – thuhet në apelin e Policisë së Kosovës për shoferët.