Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për dhjetë ditë policia shqipton mbi 1,700 gjoba në Prishtinë për mosrespektim të masave anti-COVID

Policia në Rajonin e Prishtinës ka njoftuar se ka shqiptuar 1 mijë e 757 gjoba dhe 30 vërejtje për personat të cilët nuk kanë respektuar masat parandaluese për përhapjen e COVID-19.

Këto gjoba janë shqiptuar në dhjetë ditët e para të këtij muaji.

“Drejtoria Rajonale e Policisë̈ -Prishtinë edhe përveç̧ përgjegjësive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike ka ushtruar edhe autorizimet e saj për ngritjen e nivelit të respektimit të masave anti COVID.  Në kontekstin e kësaj policia e rajonit të Prishtinës po punon që bashkërisht me të gjitha subjektet dhe të gjithë qytetarët të parandalojnë përhapjen e virusit qoftë nga pakujdesia apo nga neglizhenca”, thuhet në njoftimin e Policisë së Rajonit të Prishtinës.

Tutje policia ka thënë se masat duhet të respektohen sipas vendimeve dhe udhëzimeve që janë dhënë nga institucionet e shëndetësisë.

“E kuptojmë që është e domosdoshme lidhja njerëzore me njëri tjetrin, por tani për tani duhet të respektojmë rekomandimet e kufizimet e vendosura pasi që ruajtja e shëndetit publik është një nga prioritetet e të gjithë neve”, thuhet në fund të njoftimit.