Për 16 ditë me COVID-19, u infektuan 9,010 qytetarë, 124 vdiqen, mbi 11 mijë raste mbesin aktive

Tash e një vit Kosova, sikurse e gjithë bota, është në luftë të hapur me pandeminë SARS-CoV-2. Përkundër masave të vendosura, vendi prapë është duke u ballafaquar me fluks të lartë të të infektuarve me coronavirus.

Në muajin mars është regjistruar numër rekord i rasteve pozitive me SARS-CoV-2 krahasuar me muajt e kaluar të vitit 2021.

Për 16 ditë në Kosovë 9,010 qytetarë janë infektuar me COVID-19, numri më i lartë i të infektuarve është shënuar më 12 mars, 730 mostra rezultuan pozitive atë ditë nga 3,317 mostrat e marrura në terren nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës dhe gjurmimet e kontakteve.

Përveç numrit të lartë të të infektuarve, për 16 ditë, 124 persona përfunduan me fatalitet të prekur edhe nga infeksioni i COVID.
Më 9 dhe 15 mars në nivel vendi u regjistruan nga 13 vdekje për 24 orë.

Gjendja nëpër klinikat për COVID-19 dhe shtatë spitalet rajonale

Pacientët me COVID-19 janë duke trajtuar në pesë klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Infektivë, Mjekësinë Sportive, Pulmologji, Mjekësinë Intensive Qendrore dhe në Pediatri.

Në këto pesë klinika në QKUK janë duke u trajtuar 313 pacientë me COVID-19.

Sa i përket gjendjes së pacientëve, pesë pacientë janë duke u asistuar me respiratorë dhe tetë pacientë janë me maskë CPAP.

Numër i lartë i pacientëve janë në oksigjeno – terapi nëpër klinikat për COVID-19, 246 sosh.

293 pacientë janë duke u trajtuar nëpër spitalet rajonale, përderisa 427 është numri total i pacientëve të cilët janë duke u trajtuar në këto spitale. 19 pacientë janë në maskën CPAP ndërsa 4 në respirator.

Për shkak të rritjes së rasteve, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, dje ka paralajmëruar se mësimi mund të rifillohet online nga 22 marsi.

“Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe vendi është në përgatitje të pranimit të vaksinës, pasi furnizimi me vaksinën kundër COVID-19, ndonëse i premtuar se do bëhet gjatë muajit shkurt, ende nuk është bërë dhe Kosova është i vetmi vend evropian që nuk ka marrë asnjë vaksinë deri më tash.

Që nga fillimi i pandemisë, me SARS-CoV-2 në Kosovë janë prekur 78,380 persona, prej tyre 1.723 kanë vdekur.

Rezultatet e 3,649 testimeve për COVID-19