Ilustrim

Për 10 muaj në Onkologji janë evidentuar 1 mijë e 300 raste të reja të tumoreve

1 mijë e 300 raste të reja të tumoreve solide e patologjike janë evidentuar gjatë dhjetë muajve të fundit në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

“Prej tyre, 322 raste janë me kancer të gjirit, 180 me kancer të mushkërive, 312 me kancer gastrointestinal, 350 me kancer urogjinetal-gjenkologjik, si dhe me kancer në kokë-qafë, inde të buta dhe të tjera 162 raste”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Në njoftim poashtu thuhet se në Klinikën e Onkologjisë për dhjetë muaj janë ofruar 230 mijë shërbime mjekësore.

Në shërbimet kimioterapeutike përveç barnave citostatike përfshihet edhe aplikimi i terapisë shtesë dhe mbështetës, janë ofruar 200 mijë shërbime të administrimit dhe aplikimit të kimioterapeutike e terapeutike.

“Shërbime radioterapeutike janë ofruar mbi 17 mijë, ndërsa shërbime të brahiterapisë rreth 750”, thuhet tutje në njoftim.

Sa i përket shërbimeve të fizikës mjekësore në Klinikën e onkologjisë janë ofruar 5 mijë e 100 shërbime, ndërsa mbi 400 shërbime janë ofruar në fizioterapi dhe psikologji klinike.