Vetëm në anglisht, tabelat orientuese "çorientojnë" qytetarët në parkun e Gërmisë

Në parkun e Gërmisë tabelat e “Shtegut Familjar” janë vendosur vetëm në gjuhën angleze.

Ky shteg është përuruar para dy ditësh, ndërkaq është hapur nga Komuna e Prishtinës në koordinim me klubin alpin “Prishtina”.

Qytetarë të shumtë dhe organizata kanë kërkuar që tabelat të jenë edhe në gjuhën shqipe.

Klubi për KALLXO.com ka pohuar se tabelat janë të përkohshme.

Ndërsa, përmes një komunikate klubi deklaroi që tabelat e tjera do të jenë në gjuhën shqipe dhe angleze, përveç në Graçanicë.

“Tabelat informative do të jenë në gjuhën shqipe dhe angleze, me përjashtim në kyçjet e vendbanimeve tjera siç janë Graçanica etj. Definimi i masave paraprake të përkrahjes për vizitorët dhe guidat eventuale për këto shtigje lidhet direkt me sigurinë, prandaj kjo komponentë është duke u diskutuar me Komunën e Prishtinës dhe Drejtorinë e Parqeve”- ka shkruar klubi në komunikatë.

Klubi ka pohuar që ka bashkëpunuar me Institutin për Mbrojtjen e Natyrës.

Por, Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, në një përgjigje për KALLXO.com ka mohuar që klubi është koordinuar me ta për vendosjen e shtyllave të metalta të tabelave.

Valbonë Mustafa, aktiviste e mjedisit tregoi që tabelat e përkohshme janë vendosur që një muaj me shtyllat e metalta të cilat janë të ndaluara të vendosen qoftë edhe përkohësisht.

“Siç po e shihni këtu tek këto tabelat ky është një shteg i ri i cili është hapur sipas gjuhës angleze po thotë shteg familjar, përveç që qytetarët nuk po informohen në gjuhën e tyre çka po shohim këtu që nuk është në rregull është edhe metalet që janë vendosur sepse sipas rregullave nga Instituti për Mbrojtje të Natyrës, nuk rekomandohen mjete të metalit ose betonit qoftë edhe përkohësisht”- bëri të ditur Mustafa për KALLXO.com.

Ajo thotë që tabelat mund të çorientojnë personat që frekuentojnë këtë pjesë dhe veçanërisht të moshuarit.

“Secili mundet me abuzu me natyrën edhe me thënë nuk kam qenë i informuar, nuk e kam ditur, edhe nëse thotë po është tabela, ai mundet me thënë që unë nuk e kuptoj këtë gjuhë. Kjo përveç që mundet më i orientu keq njerëzit mundet të ofrojë hapësira edhe për keqpërdorime. Edhe sa unë e di këtu Gërminë e frekuentojnë më shumë të moshuarit, sidomos në orët e hershme të mëngjesit, ata nuk besoj që e dinë gjuhën angleze, munden edhe ata të orientohen diçka keq, munden edhe me pësu sepse këtu është vështirë qasja me gjetë për shembull një person, qoftë edhe një rast ku dikush mundet me u lëndu është problem që ndihma e shpejtë me ardhë këtu”-tha ajo.

Sipas saj, Komuna e Prishtinës nuk është konsultuar me aktivistë të ambientit dhe tregoi që për këtë vendim është dashur të merren të gjitha kategoritë që merren aktivisht me çështjet mjedisore.

“Sa na përket neve si aktivistë për mbrojtje të mjedisit, ku merremi tash sa vite me parkun e Gërmisë, nuk na ka konsultu askush edhe pse kemi goxha njohuri lidhur me shtigjet, siguritë, mirëmbajtjes, mbajmë edhe aktivitete për pastrimin vazhdimisht me vite të tëra, neve nuk na ka konsultu askush. Nuk kam njohuri që është konsultu edhe ndonjë grup tjetër sepse besoj që këtu nevojitet kontributi i gjithë grupmoshave, gjitha kategorive, çiklistëve, vrapuesve, atyre që bëjnë ecje të lehta, atyre që bëjnë edhe ecje me familje edhe institucionet e sigurisë besoj që duhet me i konsultu edhe ata…”- theksoi Mustafa.

Komuna e Prishtinës dhe Drejtoria e Parqeve të kësaj Komune nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit.