Foto: Ilustrim

Pejë, arrestohen  tre persona për rrahje me shufra, një i dyshuar në kërkim

Dy persona janë lënduar pasi janë goditur me grushte e shufra hekuri nga katër persona të dyshuar.

Policia ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme, kanë marrë informacion se në rrugën ‘Adem Jashari’ në Pejë ka ndodhur një rast i rrahjes, ku ishin të përfshirë disa persona të moshave të ndryshme.

Sipas njoftimit, Drejtoria Rajonale e Policisë Pejë, përkatësisht njësitet nga stacioni policor Pejë me të marre ketë informatë kanë shkuar menjëherë ne vendin e ngjarjes por nuk i kanë hasur personat të cilët kishin qenë të involvuar në rastin e rrahjes.

Gjatë ditës së sotme policia ka arritur që të identifikojnë të dyshuarit të cilët i kishin sulmuar viktimat duke i goditur me grushte dhe shufra, me ç‘rast ju kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Tre të dyshuarit inicialet e të cilëve janë P. A., 33 vjeçar, Q. A., 22 vjeçar dhe J. A., 23 vjeçar janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të rastit.

Policia ka njoftuar se është në kërkim edhe të personit të katër të dyshuar të involvuar në këtë rast.