PDK s’i komenton akuzat e ish-deputetit Rrustem Mustafa ndaj partisë

Anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë komentuar akuzat që ish-deputeti i kësaj partie Rrustem Mustafa i ka bërë ndaj zhvillimeve në PDK.

Mustafa thënë se PDK-ja me kalimin e viteve, “ka akomoduar opurtunistë e njerëz që kanë qenë të afërt me pushtetin para vitit 1999”.

Lidhur me këtë çështje, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se nuk e di se për çfarë deklarate bëhet fjalë, pasi është i zënë me fushatë zgjedhore.

“Nuk e di as për çfarë deklarate bëhet fjalë, jam në fushatë. As nuk kam parë media, as nuk shoh televizion, kam goxha angazhime tjera për sa i përket organizmit të fushatës. Këqyr ndonjë koleg temin të lutem”, ka thënë ai.

Kurse, anëtarja e kryesisë së kësaj partie Blerta Deliu-Kodra ka thënë se nuk i komenton deklaratat në fjalë dhe se nuk kanë ndonjë qëndrim.

“Ne jemi në fushatë tash edhe nuk i kisha komentu se jam krejt kohën në terren as s’kam pas kohë, veç diçka çka më kanë tregu të tjerët, se s’po kam kohë edhe me u marr me deklarata. Si kisha komentu, s’kemi qëndrim sepse jemi pjesë e shtabit zgjedhor, ne jemi të përcaktuar komplet në fushatë në terren dhe s’kemi kohë me u ulë me u mbledh kryesia dhe me i diskutu qëndrimet. Dikush ma ka përmend [dekaratën e Rrustem Mustafës], por nuk po mundem as me u përgjigj sepse në terren jemi krejt kohën”, tha ajo për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe zëdhënësin e PDK-së, Avni Bytyçi, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në thirrjen telefonike.

Ndërkaq, ish-deputeti Rrustem Mustafa, është shprehur se ka kohë që e ka pushuar aktivitetin e tij në strukturat e PDK-së, por që sipas tij, nuk ka mundur të rrijë neutral e të mos reagojë ndaj personazheve, siç i ka quajtur ai, që njihen për afërsinë e tyre me ish-pushtetin.

“E sot kinse në emër të reprezentimit të PDK-së, aktrojnë superioritet e lidership ndaj personaliteteve më meritore të hierakisë së UÇK-së. Kjo nuk duhet të tolerohet në PDK. Është e tepërt”, ka shkruar në fund ai.

Rrustem Mustafa: Njerëz që janë angazhuar rishtazi në PDK kanë lidhje të afërta me ish pushtuesin