Rrustem Mustafa | Foto: Facebook

Rrustem Mustafa: Njerëz që janë angazhuar rishtazi në PDK kanë lidhje të afërta me ish pushtuesin

Ish-deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, është treguar i ashpër me këtë parti.

Mustafa ka shkruar se PDK-ja fillimisht është themeluar nga njerëz që kanë demonstruar kredenciale të larta morale e kombëtare. Por sipas tij, me kalimin e viteve, ajo ka akomoduar opurtunistë e njerëz që kanë qenë të afërt me pushtetin para vitit 1999.

“Sot, me njerëz që janë angazhuar rishtazi (Doktoranta, mastera të internetit e lloj-lloj kualifikimesh)në PDK, kemi arritur deri aty sa dikush që vjen nga lidhje të afërta me ish pushtuesin, të jap ‘çertifikata’ për individë brenda PDK-së, që përcaktojnë shkallën e lojalitetit të tyre ndaj vlerave të UÇK-së, madje, këtë ‘çertifikatë’ ja akordojnë edhe vet eprorëve të UÇK-së”, ka shkruar ai.

Mustafa tutje ka shkruar se ka kohë që e ka pushuar aktivitetin e tij në strukturat e PDK-së, por që sipas tij, nuk ka mundur të rrijë neutral e të mos reagojë ndaj personazheve, siç i ka quajtur ai, që njihen për afërsinë e tyre me ish-pushtetin.

“E sot kinse në emër të reprezentimit të PDK-së, aktrojnë superioritet e lidership ndaj personaliteteve më meritore të hierakisë së UÇK-së. Kjo nuk duhet të tolerohet në PDK. Është e tepërt”, ka shkruar në fund ai.