Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

PDK: Qeveria e Kosovës e ka emëruar Kryeinspektorin e Punës në mënyrë të paligjshme

Sot në një konferencë për media Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se Qeveria Kurti e emëroi dhe po e mban kundërligjshëm në detyrë Kryeinspektorin e Punës, Hekuran Nikçi.

Ai ka thënë se emërimi i Nikçit si Kryeinspektor i Inspektoratit të Punës është bërë në mënyrë të paligjshme sepse për këtë pozitë nuk ka pasur konkurs publik.

“Vitin e kaluar, me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës, ka emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi. Ky emërim është bërë në kundërshtim më ligjin në fuqi për Zyrtarët Publik, pasi për këtë pozitë nuk ka pasur fare konkurs publik” – tha Gruda para mediave.

Sipas Grudës, edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, (KPMSHC), përmes raportit të Monitorimit të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave kishte konstatuar se Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës është emëruar në mënyrë të paligjshme.

“Përkundër këtij vendimi të Këshillit, Qeveria ka vazhduar të mos e largoj nga detyra Kryeinspektorin Nikçi, duke ju drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.  Edhe në Gjykatën Themelore, Qeveria e ka humbur rastin, pasi gjykata ka refuzuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të KPMSHC-së.  Duke mos u bindur, ata janë ankuar në Gjykatën e Apelit. Por, edhe kjo gjykatë e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tyre duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë” – tha ai.

Tutje, Gruda tha se PDK fton prokurorinë e shteti të që të marr të gjitha veprimet e nevojshme ndaj personave që nuk i kanë zbatuar vendimet e gjykatave.