PDK propozon themelimin e Komisionit Hetimor për djegien e objektit të IML-së

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka njoftuar se do të propozojnë themelimin e komisionit hetimor parlamentar për djegien e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Tahiri ka thënë se për këtë rast ende nuk ka raport se çfarë dëme janë shkaktuar nga ky zjarr.

“Në këtë javë u ballafaquam me një dem të madh, zjarr vënie që krijoi dëme milionëshe ende nuk e kemi të qartë dëmet në punën përmbajtjesore të këtij institutit. Çfarë raporte dhe çfarë ekspertiza janë djegur. A është e vërtetë që mbetjet mortore të heroit Isa Boletini janë djegur, a është e vërtetë që mustaqet e komandantit legjendar Adem Jashari janë djegur”- ka thënë ai.

Po ashtu ai ka thënë se komisioni do të hetojë dhe humbjen e mostrave të rastit Dehari.

“Asnjëherë nuk kemi pas raport të qartë se çka ndodhi me mostrat e rastit Dehari. Tani kemi pa një heshtje nga LVV për rastin Dehari. Ju kemi prit tri vjet sa keni qenë në pushtet për ta trajtuar një çështje të tillë”- tha ai.

Tahiri tha se propozimi për këtë komision do të behet në seancën e javës së ardhshme.

Dy zyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore u kapluan nga zjarri në orët e hershme të së martës.

Njëra nga këto zyre i takon edhe drejtorit të IML-së, Ditor Halilit, e njoftimet zyrtare bëjnë me dije se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së Institutit dhe mostrave.