PDK përshëndet deklaratën e përbashkët të Grenell, Kosnett e Palmer

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë sot në konferencë për media se PDK përshëndet deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit rreth çështjes së ndarjes së Kosovës.

ShBA dje nëpërmjet një deklarate për media tha nuk ka asnjë plan për shkëmbim territoresh.

“Njëherazi, na vjen keq që partnerët tanë janë detyruar të bëjnë këtë përgënjeshtrim si pasojë e mashtrimeve publike që kanë ardhur në vazhdimësi nga kryeministri i shkarkuar Kurti dhe veçanërisht në seancën e rrëzimit të Qeverisë. Ne shprehim shqetësimin për rrezikun e madh që sjell shtrembërimi i së vërtetës mbi qëndrimet e aleatëve tanë amerikanë. Këto manipulime, jo vetëm dëmtojnë partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe cenojnë rëndë dinjitetin dhe reputacionin e shtetit të Kosovës”, tha zyrtarja e lartë e PDK-së, Eliza Hoxha.

“Partia Demokratike e Kosovës gjen rastin që të deklarojë sërish, se i konsideron si prioritet kryesor lidhjet afërta dhe të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të vazhdojë që të punojë për t’i konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet bilaterale me këtë shtet mik të përhershëm”, ka thënë ajo para gazetareve të premten.

“Po ashtu, ftojmë qytetarët e vendit që të mos bien pre e mashtrimeve të aktorëve apo faktorëve politikë, të cilët instrumentalizojnë në mënyrë të papërgjegjshme me këto raporte apo që spekulojnë për përfitime meskine politike me to”, tha Eliza Hoxha.