Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK: Kosova po rrezikohet nga ngritja e çmimit të energjisë – Qeveria po tregohet neglizhente

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj që Qeveria e vendit po neglizhon situatën për t’u përballur me pasojat e krizës energjetike.

“Gjatë muajve të fundit, mbarë Evropa është duke përjetuar rritje marramendëse të çmimeve të energjisë elektrike, ndërsa Qeveria e Kosovës po tregohet neglizhente dhe nuk ka marrë asnjë masë për të adresuar këtë krizë që po i afrohet me shpejtësi edhe Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.

“Aktualisht, çmimi i rrymës në bursat e energjisë në rajonin tonë, ka arritur në trefishin e çmimit të një viti me parë, ndërkohë që jemi ende larg dimrit – kur edhe pritet të arrijë kulmi i çmimit”, thuhet në reagim.

Kjo parti opozitare ka thënë se kriza ndërkombëtare kërcënon furnizimin e rregullt dhe me çmime të pa përballueshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar kështu stabilitetin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe vetë sigurinë kombëtare.

“Dihet që Kosova nuk ka kapacitete gjeneruese të rrymës për të përmbushur nevojat e saj kur arrin piku i konsumit në dimër dhe për rrjedhojë është e varur nga vendet fqinje – qoftë për blerje të energjisë, qoftë për transmetimin e energjisë së importuar”, vijon reagimi i partisë të cilën e drejton Memli Krasniqi.