Kuvendi i Kosovës, 24 mars 2022/ Foto: KALLXO.com

PDK kërkon të anulohet seanca e sotme për shkak të protestës së veteranëve të UÇK-së

Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet e seancës së sotme në kohën kur në oborrin e Kuvendit janë duke protestuar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë së nuk ka kuptim të mbahet seanca e Kuvendit sot.

Qalaj ka bërë thirrje për deputetët veteranë që t’i mbështesin bashkëluftëtarët.

“Sot as që duhet të ketë seancë, seancë nuk do të ketë as nesër, as pasnesër gjersa t’i trajtojmë veteranët e UCK-së. Deputetë veteran vendin nuk e kemi këtu por e kemi me veteranët, pa dallim partie duhet të jemi me veteranët sot. Në emër të PDK kjo seancë nuk ka kuptim dhe nuk do të lejohet të mbahet”, ka thënë Qalaj.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Protestuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë thyer kordonin e Policisë së Kosovës dhe kanë depërtuar brenda oborrit të Kuvendit të Kosovës.

Faton Klinaku ju ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të mos lëndojnë Policinë.

Në oborrin e Kuvendit janë duke qëndruar pjesëtarë të Policisë dhe Njësisë Speciale.

Protesta e sotme është paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.