Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK kërkon që të shtyhet votimi për pagën minimale

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar që të shtyhet pika e rendit të ditës votimi në parim i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Tahiri ka thënë se veteranët e luftës janë një kategori e ndjeshme që duhet të trajtohet ashtu si e meritojnë.

“Është në interes tonin të përgjithshëm që kjo kategori tepër e ndjeshme të trajtohet qysh e meritojnë dhe mos të jetë një përplasje e jona politike në Kuvend mirëpo të shtyhet e të mos votohet fare sepse edhe kur kemi pasur debat e kemi refuzu një çështje të tillë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai tha se pasi të arrijnë një dakordim me ministrinë e financave do të mund të hyjnë në votim.

“Pasi të arrijmë një dakordim me ministrinë e financave atëherë mund të hyjmë në votim. E jona është të kërkojmë të shtyhet dhe të mos votohet fare dhe të vazhdojmë me pika tjera”, tha Tahiri.

Protestuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë tentuar të hyjnë brenda Kuvendit të Kosovës gjatë protestës që po mbajnë në këto momente në oborr të Kuvendit të Kosovës.

Veteranët janë duke protestuar për të kundërshtuar mos përfshirjen e tyre në projektligjin për pagat.