Deputetet, PDK

Grupi Parlamentar i PDK-së. Foto: Kuvendi i Kosovës

PDK e AAK nuk ndryshojnë qëndrim lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare

Tash e sa kohë, PDK e AAK po refuzojnë të votojnë për disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë investimesh mbi 300 milionë euro, ndërkohë që Qeveria ka bërë përpjekje në Kuvend për të siguruar votën për ratifikimin e tyre.

Shefat e grupeve parlamentare të këtyre dy partive deklaruan sot se nuk kanë ndryshuar qëndrim lidhur me këtë çështje.

Abelard Tahiri nga PDK tha se Qeverisë Kurti duhet t’i limitohet qasja në fonde, pasi sipas tij, ato keqpërdorën.

Ndryshimin e qëndrimit të PDK-së për këtë çështje, Tahiri e ka konsideruar gabim fatal, andaj ka thënë se nuk e ndryshojnë.

“Kjo qeveri tashmë për tri vite ka shpenzu më shumë se 8 miliardë euro, i kemi votu ne total 52. Cili është ndryshimi, largimi i njerëzve nga Kosova. Është interes nacional sa ma pak me i dhënë kësaj qeverie qasje në fonde, sepse e rrisim borxhin publik. Ndryshim i qëndrimit të PDK-së në favor të këtyre marrëveshjeve do të ishte gabim fatal për Kosovën. Natyrisht që nuk e ndryshojmë (qëndrimin). Ne po punojmë me çu vendin në zgjedhje. Kësaj qeverie duhet me ia limitu qasjen në fonde sepse edhe nuk dinë edhe i keqpërdorin”- u shpreh ai sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ndërsa, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se deputetët e LVV-së duhet të mbështesin propozimet e AAK-së për disa çështje në mënyrë që këta të fundit të votojnë për marrëveshjet ndërkombëtare.

“AAK ka votu përgjatë këtyre viteve të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. AAK mendon që neglizhimi që kjo qeveri ua ka bë temave si Ligjit të pagave e koeficientit, është e papranueshme. Nuk mundemi me u sill sikur nuk ka ndodh asnjë gjë. Ne jemi parti që kemi qëndrime politike dhe nëse qëndrimet tona për rritjen e koeficientit, për pagën minimale, për pensionistet e veteranët nuk ndodhin, atëherë nuk do të ketë mbështetje” – tha Besnik Tahiri.

Në anën tjetër, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila tha se për këtë çështje kanë filluar dialogun me opozitën.

Ajo tha se pret ndryshim të qëndrimit të tyre për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“E shohim të domosdoshëm dialogun. Besoj qe deri ka fundi i kësaj jave mund te kemi rezultat në ndryshim apo qëndrimet e të paktën disa prej përfaqësuesve të opozitës. Ne do të marrim pjesë në seancën e jashtëzakonshme të enjten në ora 12:00 për të diskutuar çështje që konsiderohen me rëndësi”- tha Kusari – Lila.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, është kushtëzuar me “shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje”, nga një pjesë e opozitës, e në anën tjetër me mos përgjigje në pyetjet parlamentare nga ana e ekzekutivit, deri në miratimin e ujdive. Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon dy të tretat e votave (80) të cilat, Qeveria Kurti po e ka të vështirë t’i mbledhë tash e sa muaj.

Tash e sa kohë, ekzekutivi ka bërë përpjekje në Kuvend për të siguruar votën pro për disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë investimesh mbi 300 milionë euro që po presin votimin dhe shqyrtimin nga ligjvënësit kosovarë.

Qeveria Kurti ka shumicën në Parlament për të miratuar ligjet që kalojnë me shumicë të thjeshtë, pasi ai drejton një kabinet të mbështetur nga 64 deputetë, përfshirë grupin multietnik.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votimi është kushtëzuar me shpallje të zgjedhjeve të reja dhe shpërbërje të Kuvendit. Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se do mbështesë marrëveshjet, përveç njërës -Marrëveshja financiare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut.

Kuvendi para një episodi të ri në serinë për marrëveshjet ndërkombëtare