Pas interesimit të KALLXO.com, dorëhiqet anëtarja e komisionit përzgjedhës për drejtor të SHSKUK-së

Anëtarja e bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Rrezarta Bajrami – Halili, është dorëhequr nga komisioni vlerësues për përzgjedhjen e drejtorit të SHSKUK-së. 

Dorëheqja e saj erdhi pasi që KALLXO.com u interesua për raportin e saj me gruan e kandidatit për drejtor të SHSKUK-së, Elvir Azizi, me të cilën kanë postuar disa fotografi që dëshmojnë lidhjen shoqërore. 

Dorëheqja e Bajrami – Halilit nga komisioni është bërë e ditur në mbledhjen e bordit të SHSKUK-së që është mbajtur sot, në të cilën ajo nuk ishte e pranishme. 

Rrezarta Bajrami – Halili do të zëvendësohet nga anëtarja tjetër e bordit, Tetore Olloni.

Bajrami – Halili ishte pyetur nga KALLXO.com për raportin e saj me Greta Lilën, e cila është bashkëshortja e Elvir Azizit, kandidat për drejtor të SHSKUK-së.

Kjo pasi në profilin e anëtares së bordit të SHSKUK-së në rrjetin social Facebook janë të publikuara disa fotografi bashkë me bashkëshorten e Elvir Azizit, kandidatit për drejtor të SHKUK-së. 

Në njërën prej fotografive, e cila është publikuar në vitin 2010, shihen të dyja në vendin e tyre të punës. Në mbishkrimin e fotografisë, Rrezarta Bajrami – Halili e ka quajtur Greta Lilën “shoqe dhe kolege të dashur”. 

Më 23 maj 2023, KALLXO.com i kishte dërguar pyetje Bajrami-Halilit rreth lidhjeve të saj me Greta Lilën, bashkëshorten e kandidatit për drejtor të SHSKUK-së, Elvir Azizi. Përveç kësaj, ajo është pyetur nëse shoqëria e tyre do të ndikojë në vlerësimin e Bajrami – Halilit gjatë procesit të konkursit, si dhe nëse e kishte njoftuar bordin e SHSKUK-së për afërsinë e saj me gruan e një kandidati.

Bajrami- Halili nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com, por ka zgjedhur që çështjen ta ngrejë në mbledhjen e bordit të SHSKUK-së, të mbajtur më 31 maj 2023. 

Pyetjet e pranuara ajo i ka cilësuar si presion medial.

“Kam pasur presion medial për këtë, mirëpo mua një trup kolegjial më ka përzgjedhur si anëtare e këtij komisioni. Unë besoj që jam anëtare e denjë për vlerësim, në kuadër të përvojës sime 17-vjeçare si staf akademik” – tha ajo në mbledhjen e kaluar të bordit të SHSKUK-së.

Në të njëjtën mbledhje, kryetari i bordit të SHSKUK-së, Naim Bardiqi, kishte kërkuar nga ajo që ta vlerësojë nëse ndihet në konfikt interesi, ta deklarojë dhe të zëvendësohet me dikë tjetër. 

“Ju mundeni me kërku opinion edhe është çështje vërtetë, goxha e përceptimit, nëse unë kisha me ndi konflikt të interesit, për shkak se e njoh, e kam mik dikënd, mundet me u deklaru edhe në proces, edhe mundesh me u tërhek dhe bordi mundet me e zëvendësu anëtarin, qoftë edhe vetëm për një individ gjatë intervistimit” – tha Bardiqi.

Rrezarta Bajrami – Halili në mbledhjen e mbajtur më 31 maj 2023 e kishte pranuar  që e njeh gruan e Elvir Azizit dhe e ka shoqe të studimeve. 

Por ajo shtoi se e ka kolege edhe kandidaten tjetër, Sanije Gashin, pasi që të dyja punojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe gruan e kandidatit tjetër, Zef Ndrejaj.

“Sa i përket pyetjes, po ka qenë e qartë. I njoh domethënë, e kam shoqe të studimeve gruan e kandidatit, gjithashtu e kam kolege tjetrën kandidate që punoj bashkë në Institut. Edhe gruan e kandidatit tjetër, doktor Zefit, njihemi, jemi kolege. Konflikt nuk e shoh, mirëpo nëse veç e vlerësoni për mbarëvajtje të procesit, të zëvendësohem” – kishte thënë Rrezarta Bajrami – Halili.

KALLXO.com e kishte kontaktuar edhe Greta Lilën, bashkëshorten e Elvir Azizit, kandidatit për drejtor të SHSKUK-së, por e njëjta nuk ka pranuar të komentojë.

“Ju kisha lutë mos me m’shqetësu, jam e ngarkuar edhe me punë, nuk kam komente” – ka thënë ajo për KALLXO.com.

Greta Lila, bashkëshortja e Elvir Azizit, është drejtoreshë e Shërbimit të Mikrobiologjisë Klinike në QKUK. 

Çfarë thotë Ligji?

Neni 6 i Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik thotë se konflikti i interesit lind nga një rrethanë në të cilën zyrtari ka interes privat, që ndikon, mund të ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare.

Në rastin kur zyrtari dyshon apo konstaton se konflikti i interesit ka lindur apo mund të lindë, ai duhet ta informojë dhe të këshillohet me udhëheqësin e tij apo organin udhëheqës.

Gjatë kësaj kohe, zyrtari duhet t’i pezullojë të gjitha veprimet që ndërlidhen me këtë çështje, deri në një vendim përkatës.

Gjithnjë sipas Ligjit, udhëheqësi apo institucioni udhëheqës duhet të marrë masat e nevojshme për ta parandaluar konfliktin e interesit. Nëse ata nuk janë të bindur se ekziston konflikti i interesit, atëherë mund t’i drejtohen Agjencisë Kundër Korrupsionit për të vendosur.

Në komisionin vlerësues, i cili është formuar nga bordi i SHSKUK-së, përveç Tetore Ollonit, e cila e ka zëvendësuar Bajrami – Halilin, janë edhe tre anëtarë të tjerë, Naim Bardiqi – kryesues i bordit të SHSKUK-së e sekretar në Ministrinë e Shëndetësisë; Enver Gashi e Haki Smajli nga Ministria e Shëndetësisë; Ismet Berisha nga Zyra e Personelit të SHSKUK-së.

Bashkë me Elvir Azizin në garë për drejtor të SHKSUK-së janë edhe Basri Lenjani, Sanije Gashi, Haqif Arifi dhe Zef Ndrejaj.

9 qershori 2023 është caktuar dita e mbajtjes së testit me shkrim për këta kandidatë.

Më 21 maj 2023, KALLXO.com kishte raportuar se kandidati Elvir Azizin ka qenë koleg i fakultetit me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Këta të dy e kanë vazhduar shoqërinë e tyre edhe pas përfundimit të studimeve.

Në një fotografi të vitit 2017, të siguruar nga KALLXO.com, Azizi shihet bashkë me Vitinë, bashkëshortet e tyre dhe me disa persona të tjerë në Prishtinë.

Në vitin 2017, Arben Vitia ishte drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Shpend Ahmeti.

Azizi po ashtu ka qenë i angazhuar në MSh si ekspert i fushës së farmacisë përmes njësisë koordinuese të Bankës Botërore, nga fundi i vitit 2021 deri në fillim të majit të këtij viti.