Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Parametrat e cilësisë së ajrit për muajin shtator, vendet ku pati tejkalime të vlerave

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar raportin e cilësisë së ajrit për muajin shtator.

Të dhënat janë marrë nga 12 stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit në 9 komuna të Kosovës.

Parametrat më të lartë të ozonit për m3 brenda orës u regjistuan në Gjilan më 15 shtator, ku vlera arriti deri në 150,1 mg/m3, pasuar nga Peja me 143,2 sasi ozoni për m3 më 14 shtator.

Vlera të dioksidit të sulfurit brenda një ore më të lartat u raportuan në fshatin Palaj më 10 shtator me rreth 152.8 mg/m3.

Parametrat më të lartë të dioksidit të azotit për një orë u regjistuan në Gjilan më 26 shtator, ku vlera shkoi në 104.9 mg/m3, pasuar nga Drenasi që regjistroi 88,8 mg/m3 dioksid karboni më 15 shtator.

Derisa vlerat më të larta në monoksidit të karbonit u raportuan në Prishtinë më 15 shtator, ku për një orë kapi vlerë 2,2 mg/m3.

Sa i përket grimcave PM 10, vlera maksimale për një ditë u raportua në Dardhishtë me shifër 45,2 mg/m3 më 27 shtator.

Kurse, vlera e grimcave PM 2,5 më e larta u raportua në Drenas më 16 shtator me shifër 49,2 mg/m3.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës përmes Rrjetit Nacional për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit. Rrjeti Nacional i Monitorimit të Cilësisë së Ajrit është i përbërë nga 12 stacione automatike fikse dhe një stacion automatik mobil.

Shpërndarja e stacioneve dhe përzgjedhja e lokacioneve monitoruese është bërë konform kritereve të Direktivës 2008/50/EU për ajër të pastër në Evropë, dhe ligjeve vendore, duke respektuar këto kritere stacionet janë shpërndarë në 9 (nëntë) komuna të Republikës së Kosovës: Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Brezovicë, Hani i Elezit dhe Gjilan.