Paralajmërohet protesta e radhës e FIT-it, bashkëngjiten edhe njësi të tjera

Njësia Speciale Intervenuese (NjSI) ka paralajmëruar protestën e radhës e cila do të mbahet më 9 dhjetor 2023.

KALLXO.com ka siguruar dokumentin e njoftimit të protestës te organet e rendit.

Tashmë pjesë e kësaj protestë nuk do të jenë vetëm NjSI por edhe njësi të tjera.

Siç mëson KALLXO.com në këtë protestë tashmë janë inkuadruar edhe njësitë tjera speciale, njësitë e hetimeve, rendit publik si dhe departamenteve te tjera të Policisë së Kosovës.

Kjo protestë është paralajmëruar për shkak të pakënaqësive për kategorizimin e rrezikshmërisë dhe shtesat.

Protesta parashihet të fillojë nga ora 12:00 në sheshin Skënderbeu.

Pjesëtarët e FIT-it, patën protestuar në fillim të nëntorit para objektit të Qeverisë, për të shprehur pakënaqësitë me shtesat e rrezikshmërisë, pagën, por edhe shtesat e tjera.

Ata kishin paralajmëruar një protestë tjetër, e cila ishte pezulluar pak orë para se të niste, pasi që kryeministri kishte njoftuar se do t’i priste në takim zyrtar.

Pas takimit zyrtar, Kurti nuk u ka premtuar pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese plotësimin e kërkesave të tyre.

Kështu u la të kuptohet Qeveria në komunikatën e lëshuar pas takimit që ka zhvilluar kryeministi bashkë me ministrat Xhelal Sveçla e Hekuran Murati me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese.

Sipas njoftimit, Kurti dhe dy ministrat fillimisht i dëgjuan me vëmendje kërkesat dhe çështjet e ngritura nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, teksa i falënderuan për kontributin e tyre me punë profesionale dhe në shërbim të rendit dhe ligjit.

Ndërsa thuhet se gjatë takimit, Kurti i njoftoi ata se “kategorizimi dhe vlera e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por në të njëjtën kohë duke pasur parasysh edhe kufizimet që ekzistojnë”.

Po ashtu, në njoftim është theksuar se Qeveria është e përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës.

https://kallxo.com/lajm/kurti-nuk-u-premton-pjesetareve-te-njesise-speciale-intervenuese-plotesimin-e-kerkesave/