"Parada e Krenarisë", marshimi për barazi
Në mesin e personave të shumtë të cilët marshuan në “Paradën e Krenarisë” në Prishtinë ishte edhe një 17-vjeçare, e cila ishte maskuar dhe kërkonte që identiteti i saj të mbetej i fshehur për shkak se nuk donte të identifikohej nga familjarët e saj që ishte aty.
Pikërisht për këtë qytetarë, aktivistë, deputetë të Kosovës e ambasadorë të vendeve të huaja kanë bërë thirrje që personat e komunitetit LGBTQI+ të pranohen për orientimin e tyre seksual.
Slogani i paradës për këtë vit ka qenë “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE”, që ka synuar të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.
Nën tingujt e muzikës dhe praninë e ngjyrave ecja dhe vallëzimi është bërë nga sheshi “Skënderbeu” për të përfunduar organizmin me një koncert muzikor te Pallati i Rinisë.
Shemsije Musa Çerkini, prind i një djali gay, sot ka kërkuar nga familjet dhe shoqëria që personat e komunitetit LGBTQI+ të pranohen me zgjedhjet e tyre.
“Evladi është bujashka e prindit. Rehatia e evladit është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në këtë botë. Jam krenare që është ai çka është”, ka thënë ajo.
Tutje ajo ka thënë se sa herë që kalon kohë me personat LGBTQI+ e mbushin me jetë atë, duke shtuar se ndihet rehat kur është pranë tyre, por se i dhemb zemra kur i tregojnë se si ata trajtohen.
“Nëse e keni vështirë me e kuptu botën e tyre s’ka gajle, por kjo nuk do të thotë me ua bë jetën më të vështirë atyre”, ka thënë tutje ajo.
Pjesë e këtij organizimi ka qenë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i cili ka thënë se qëllimi i vizitës është që të shpreh mbështetjen që kanë për komunitetet.
Ai, po ashtu, ka folur edhe për një mjet piroteknik që është hedhur në drejtim të marshuesve, të cilën Mehmeti nuk e ka cilësuar si diçka serioze.
“Policia e Kosovës ka qenë e kyçur që nga fillimi i këtyre aktiviteteve. Nuk kemi pasur ndonjë incident. Përveç një mjet piroteknik që është hedhur afër Hotel Grand, por nuk ka qenë diçka serioze”, tha drejtori i Policisë.
Pjesëmarrëse në këtë paradë është parë edhe shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Kusari-Lila tha se sot po feston lirinë dhe dashurinë, e cila sipas saj është e drejtë e cila nuk duhet të kontestohet në shoqëri.
“Sot është dita me e festu lirinë e dashninë, me qenë të vetëdijshëm për një të drejtë e cila jo që duhet me ju mohu por as me u kontestu në shoqërinë tonë të gjithë personave, homoseksual, lesbian, transgender për arsye se shoqëria jonë duhet me kuptu që çdo gjë që është pjesë e qenies njerëzore dhe natyrisht e lirisë elementare nuk është për t’u cenuar“, është shprehur Kusari Lila.
Ajo gjithashtu foli edhe për moskalimin e Projektkodit Civil në Kuvendin e Kosovës për të cilin tha që shpreson që nuk do të përsëritet më.
“Ajo çka ka ndodhë në Parlamentin e Kosovës shpresoj që të mos përsëritet në kuptimin e procesit i cili duhet të rregullojnë një të drejtë tjetër legjitime për të qenë bashkë në një qoftë union civil apo në një martesë të personave të gjinisë së njëjtë “, deklaroi Kusari-Lila.
Këtë vit është mbajtur edicioni i 6-të i “Paradës së Krenarisë”.
“Java e Krenarisë” ka filluar më 6 qershor dhe do të përfundojë sot.