Ilustrim

Paraburgim për tre të dyshuarit për blerje e shitje të narkotikëve

Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve në bashkëkryerje ndaj të pandehurve, J.K., Gj.Sh. dhe B.H.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, i cili do të vlejë deri më 1 qershor 2021, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas gjykatës, nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: me datën 02 maj, në orët e mesnatës në Prizren, të pandehurit pa autorizim blejnë ose posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, substancat apo preparatet të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që gjatë bastisjes në shtëpinë të cilën i pandehuri A.Sh., e mbante me qira, janë gjetur substanca narkotike dhe atë një pako me rizlla – mbështjellëse të marihuanës, një qese najloni me 30 qese të mbushura me substancë të dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë totale 28.51 gram.

Sipas njoftimit të gjykatës, është gjetur substancë e dyshuar për narkotikë e llojit marihuanë me peshë 16.32 gram, nëntë qese najloni me substancë të dyshuar për narkotikë të llojit marihuanë me peshë totale 4.07 gram, një qese najloni me substancë të dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë totale 52.94 gram, një qese najloni me substancë të dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë totale 0.33 gram, një peshore elektronike e llojit konstant me numër: 14192-645C, qese të zbrazëta plastike për mbushje të marihuanes (rreth 100 copë), një grirëse ngjyrë hiri, një grirëse ngjyrë hiri dhe një grirëse ngjyrë ari, ku të pandehurit i kanë përgatitur substancat me qëllim të shitjes.

Gjykata ka njoftuar se këto fakte pritet të argumentohen dhe të vlerësohen në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjykata ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, për shkak të peshës së veprës penale dhe dënimi i cili parashikohet për këtë vepër penale të pandehurit mund të vendosin të fshihen në ndonjë vend të panjohur për organet e ndjekjes me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale, duke marrë parasysh edhe faktin se të pandehurit me rastin e zbatimit të urdhër kontrollit nga ana e Policisë, kanë tentuar të arratisen, duke marrë edhe lëndime trupore dhe janë kapur nga zyrtarët policor.

Gjithashtu, me rastin e caktimit të paraburgimit është marrë parasysh edhe sjellja e mëparshme e të pandehurve të cilët janë të regjistruar edhe si kryerës të shumë veprave tjera penale, kryesisht të kësaj natyre, andaj këto rrethana tregojnë rrezikun se nëse të pandehurit lihen në liri, do të përsërisin ndonjë vepër tjetër penale të kësaj natyre si dhe lënia në liri në këtë fazë të procedurës do të kishte ndikim negativ në rrethin shoqëror ku jetojnë të pandehurit.

Kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit.