Gjendja në marketin në Mitrovicë, Foto: AUV

Papastërtia në depon e mishit, AUV-i me fletëparaqitje për gjykatë ndaj një marketi në Mitrovicë

Për shkak të papastërtisë në depon e mishit në pikën e marketit “Interex” në Mitrovicë, inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë iniciuar fletëparaqitje për gjykatë ndaj marketit në fjalë. Nga ky i fundit thonë se gjendja është krijuar për shkak të fluksit para festës së Fitër Bajramit.

Inspektorët e AUV-it kanë dalë për të inspektuar këtë market me datë 09.04.2024.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Lamir Thaqi ka bërë të ditur për KALLXO.com se në atë hapësirë të marketit nuk ka pasur kushte higjienike.

“Veterinari e ka inspektuar sektorin e mishit. Aty të gjeturat kanë qenë se nuk ka pasë kushte higjienike, mënyra e shitjes ka qenë jo e rregullt. Bazuar në këtë inspektori ka iniciuar fletëparaqitje për gjykatë”- ka thënë Thaqi.

Gjendja në marketin në Mitrovicë, Foto: AUV

KALLXO.com ka kontaktuar edhe menaxhmentin e marketit “Interex” në Mitrovicë.

Rihan Jetullahu, menaxher i pikës së këtij marketi, ka thënë për KALLXO.com arsyeja e kësaj gjendjeje është fluksi i madh në kohën e festave.

“Ka qenë para festës. Më shumë është bërë mediatike. Para Bajramit, nata e Bajramit ka qenë. Ka pasë qarkullim. Në të gjitha marketet dhe të gjitha mishtoret bëhet më shumë blerje se ditëve të zakonshme. Ka qenë rrëmujë jo papastërti dhe jo bash ajo gjendje qysh është paraqitë. Qetash po shkojmë në dy-tri mishtore në qatë gjendje ki me pa. Fluksi i madh në prag të festave ka bërë që mos të jetë gjithçka nën kontroll 100%”- ka thënë Jetullahu.

Ai shtoi se inspeksioni u ka dhënë afat prej dy orësh për ta rregulluar atë gjendje dhe brenda afatit sipas tij, është përfunduar gjendja.