Deponia e bërllokut në tregun e gjelbër/ FOTO: KALLXO.com

Pamje - Tregu i gjelbër në Prishtinë i shndërruar në vatër mbeturinash

Tregu i i gjelbër i cili gjendet në dalje të Prishtinës krahas shërbimit si pikë kryesore për ushtrimin e veprimtarisë së tregtarëve dhe shitësve, është shndërruar tashmë edhe në vatër mbeturinash.

Mbetje frutash e perimesh, kuti dhe qese të stërmbushura e pjesë pjesë edhe të shqyera nga mbeturinat kanë zënë vend vetëm pak metra larg tendave të tregtarëve.

Bërlloku afër tendave të tregtarëve në tregun e gjelbër/ Foto: KALLXO.com

Këta tregojnë se tash e sa kohë sfidë e përditshme për ta mbetet pastrimi i këtyre hapësirave, pasi që një gjë të tillë u duhet ta bëjnë vet.

Sipas Driton Vitija, sekretar i shoqatës “Bashkimi tregu me shumicë nga pemë perimet”, kjo gjendje në këtë treg është bërë për shkak se AKP-ja ka larguar punëtorë të pastrimit nga puna.

“AKP-ja ka larguar punëtorë të pastrimit nga puna, tash shkaqet e tyre ne nuk i dimë dhe tash mbeturinat si tregtarë jemi të obliguuar sipas kontratës që e kemi me AKP-në që t’i largojmë prej tregut dhe t’i dërgojmë ku është edhe deponia e bërllokut ku vjen kompania e pastrimit për t’i marrë ato”.. shpjegon Vitija i cili thotë se shpresat për zgjidhje i kanë varur te komuna e Prishtinës.

“Kemi marrëveshje me AKP-në deri në muajin shtator, do të thotë që i kemi kontrata me të valide, ndërsa prej muajit shtator ne do t’i ndërpresim kontratat dhe shpresojmë që komuna ta marrë ta menaxhojë tregun ashtu siç i ka hije komunës së Prishtinës ta menaxhojë tregun me shumicë ku e gjithë Kosova dhe rajoni vijnë furnizohen këtu. Të ketë një pastërti, një rregull dhe kushte më të mira për treg” – ka thënë Vitija për KALLXO.com

Kështu, një nga tregtarët që çdo mbrëmje është i detyruar që ta bëjë vetë pastrimin përreth hapësirës ku ai ushtron veprimtarinë e tij është Bujar Behluli.

“Gjendja gjithmonë ka qenë shumë e keqe, pastrimi nuk është në nivel, duhet me pastru vet. Ka një vit e më tepër që kur jemi në këtë gjendje”- shpjegon Behluli i cili përshkruan vështirësitë që i ka sjellë kjo situatë.

“Normal që është zor sepse pastrimin duhet ta bëjmë vet, a të punojmë, a të shesim, a me ble mall, a me shit mall?” – psherëtin ai.

Një prej tregtarëve duke e pastruar vet hapsirën në tregun e gjelbër/ Foto: KALLXO.com

Nëpër të njëjtat probleme shprehet se po kalon edhe tregtari Bekim Zhegrova për të cilin është e vështirë të punojë në këtë ambient.

“Sa e ka pas komuna e Prishtinës kemi kaluar shumë mirë si me pagesë, si me pastrim si me tonat. Prej që kur e ka marrë AKP-ja katastrofë. Gjendja katastrofale është. As nuk kemi siguri prej tyre as nuk kemi pastrim prej tyre..” –  thotë Zhegrova.

Ai thekson se si pasojë e papastërtisë së krijuar në këtë vend, atij i duhet të marrë rroba shtesë prej shtëpisë dhe t’i ndërrojë ato disa herë gjatë ditës.

“7-8 herë duhet mu ndërru në ditë, rrobat në makinë ekstra i marr dhe duhet mu pastru 7-8 herë në ditë…” përmend Zhegrova i cili tregon se edhe pse kanë hapur bunarë për pastrimin e këtyre hapësirave, kjo gjë nuk po u bën punë.

“I kemi hapur disa bunarë, marrim ujë, por badihava, lloq është katastrofë” – vijon ai.

Këto mbeturina këta tregtarë janë të detyruar që t’i dërgojnë pak metra më larg ku qëndrojnë prodhuesit, pjesë kjo që tashmë ka marrë pamjen e një deponie bërlloku. Tregtarët thonë se për këtë gjë duhet të paguajnë njerëz për t’i bartur mbeturinat me karroca.

Deponia e bërllokut në tregun e gjelbër afër pjesës ku qëndrojnë shitësit/ Foto:KALLXO.com
Foto:KALLXO.com
Foto: KALLXO.com

I indinjuar me këtë situatë shprehet prodhuesi R.Sh i cili mallin e tij ua shet tregtarëve.

“Gjendja këtu është e mjerueshme, ne çdo ditë paguajmë 3 ose 5 euro për të hyrë (këtu) edhe kur vijmë është bërllok, është pluhur, nuk ka as ujë dhe asgjë, vjen era, kjo është katastrofë” – thotë ai.

Kjo gjendje ia vështirëson atij edhe më shumë punën kur klientët hezitojnë të blejnë mallra si pasojë e pluhurit dhe kundërmimit përreth që shkaktohet nga mbeturinat.

“Bërlloku që prodhohet tek krejt magazinat vjen këtu tek prodhuesit… Patjetër që kjo i humb edhe klientët tanë sepse është e gërditshme të shitet malli në këtë gjendje. Mirëpo, prapë tregtarët nuk kanë edhe aq shumë punë këtu, jemi ne ata që detyrohemi të rrimë tërë ditën në këtë pluhur, në këtë bërllok dhe në këtë erë”- është shprehur R.Sh.

Bërlloku përreth vendit ku punojnë prodhuesit në tregun e gjelbër/ Foto: KALLXO.com

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ku ka kontaktuar zëdhëndësin e kësaj agjencie Ylli Kaloshi.

Mirëpo, ai ka thënë se për këtë çështje ka dërguar pyetje në zyrën e AKP-së në Prishtinë

“E kam dërguar kërkesën për të marrë informata për këtë tek zyra e AKP-së për Priushtinë, normalisht aty ku duhet… Kur të marrë përgjigje do t’ua dërgoj edhe juve” ka thënë Kaloshi.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, KALLXO.com nuk ka marrë ende përgjigje nga ana e AKP-së lidhur me këtë temë.