Manastiri i Banjskës

Pamje – Manastiri i Banjskës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit

Policia e Kosovës mesditën e sotme ka liruar për qarkullim rrugën që të dërgon brenda territorit të fshatit Banjskë, aty ku ditëve të fundi Policia ka zhvilluar aksionin e bastisjeve pas sulmit të grupit terrorist.

Gazetarja Adelina Ahmeti nga vendi i ngjarjes raporton për gjendjen e manastirit të Banjskës – disa ditë pas sulmit terrorist që la të vrarë policin e Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas pamjeve, në manastirin e Banjskës shihen dyert e dëmtuara të objektit, ku dyshohet se u tërhoqën autoblindat e grupit të armatosur terrorist.

 

Ekipet policore kanë nisur kontrollin në zonën e fshatit Banjskë, prej 24 shtatorit kur në orët e hershme të mëngjesit u përballen me një sulm terrorist nga një grup i armatosur, shumica e të cilëve janë arratisur e disa janë arrestuar nga organet e rendit.

Gjatë kontrollit, Policia ka arrestuar tetë të dyshuar, ka sekuestruar prova materiale, në mesin e tyre automjete e arsenal armësh që dyshohet që i përkasin grupit terrorist.

Përveç provave që u prezantuan të hënën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në një hotel në Banjskë, gjithashtu është gjetur edhe një tjetër arsenal i armëve.

Sipas njoftimit, dy armë “AK 47” janë gjetur në manastir, si dhe një helmetë e Policisë së Kosovës që dyshohet se është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Lirohet për qarkullim rruga për në Banjskë – VIDEO