Foto: Telegram

Pamfletet në Zveçan, Policia nis hetimet

Policia e Kosovës raporton se persona të panjohur kanë vendosur nëpër mure të ndërtesave në Zveçan pamflete me mbishkrime.

Sipas raportit 24 orësh, pamfletet u tërhoqën si prova materiale.

Ky rast i cilësuar si “nxitja e përqarjes dhe mos durimit”, po hetohet nga Policia.

Në disa lokacione në katër komunat veriore të vendit më 30.06.2024 janë shpërndarë pamflete me foto të presidentit të Serbisë.

Rastin për KALLXO.com e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Elshani ka thënë se nuk kanë të dyshuar, ndërsa shton se policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit.

Gjatë ditës pati reagime ndaj këtyre pamfleteve.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se nëse Vuçiq është nisur pa kërkesë te autoritetet kosovare, atëherë shton ai, se do ta presin dhe do ta vizitojnë në burg.

“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij” – ka shkruar Sveçla.

Pas kësaj reagoi Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili tha se Sveçla i frikësohet edhe një pamfleti me imazhin e Aleksandar Vuçiq që dikush e ka ngjitur, ndaj sipas tij e kërcënon se do ta arrestojë.

“I frikësohet edhe një pamfleti me imazhin e Aleksandër Vuçiqit që dikush e ka ngjitur. E vetmja gjë që mund të bëjë është të mburret në rrjetet sociale!”.

Shfaqen pamflete me foto të Vuçiqit në disa lokacione në veri

Sveçla: Nëse Vuçiq është nisur pa kërkesë, edhe ne po e presim e mandej e vizitoni në burg

Petkoviq i reagon Sveçlën: Po i frikësohesh një pamfleti, mund të mburresh vetëm në rrjete sociale