Pagesa për një mbledhje në AKP për një anëtar, sa tre hektarë tokë

Ish-kryesuesi  i bordit të AKP-së, Petrit Gashi, gjatë raportimit në Komisionin hetimor parlamentar për privatizimin ka thënë se për një mbledhje kanë marrë mëditje mbi 3 mijë euro.

Kjo pagesë arrin vlerën e 3 hektarëve tokë të shitura nga AKP, bazuar në deklaratat e dhëna javën e kaluar nga ish-drejtori i bordit të kësaj ndërmarrjeje, Blerim Rexha, i cili tha se ka pasur rast kur një ari tokë është shitur për një euro.

Gashi është pyetur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, se çfarë kompensimi kanë pasur për mbledhje.

“Çfarë kompensimi keni pasë ju”, tha ai.

E Gashi tha se janë paguar mbi 400 euro në bazë ditore ose mbi 3 mijë euro për 6 ditë pune.

“Kemi marrë kompensim, jemi pagu në baza ditore, për 6 ditë të punës tonë. Mbi 400 euro në ditë… Nëse është mbajtë një mbledhje, janë llogaritë 6 ditë pune. Anëtarët e bordit e kanë marrë një mesatare të nivelit të menaxhmentit brenda Agjencisë. Për një mbledhje më shumë se 3 mijë euro. Një mbledhje e bordit nënkupton gjatë kohë dhe përgjegjësi gjatë procesit”, tha Gashi.

Gashi është pyetur nga deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, edhe për dorëheqjen e tij pas shkarkimit të drejtorit menaxhues Ekrem Hajdari.

“Në vitin 2018 bordi i drejtorëve e ka shkarkuar drejtorin menaxhues. Pas shkarkimit të drejtorit menaxhes ju keni dhënë dorëheqje”, tha ai.

Gashi duke u përgjigjur tha se lidhja e tij me drejtorin shkon gjatë pasi që, sipas tij, kanë qenë bashkë në shkollë të mesme dhe janë edhe miq.

Gashi tha se miqësia e tyre ka ndikuar që edhe drejtori Ekrem Hajdari ta marrë detyrën e drejtorit.

“Drejtorin që e kemi përzgjedhë atëherë e patëm hapë një konkurs dhe nuk kemi pasë mundësi prej pretendentëve me gjetë dikë që ne kemi mendu që i duhet Agjencisë me i shty proceset përpara. Drejtori ka pasë përvojë më shumë se 10 vjet menaxhment në institucione publike… Miqësia ka ndiku por ka ndiku pozitivisht. Vendimi ka qenë kolektiv edhe për përzgjedhjen e drejtorit ka pasë vendim unanim”, tha ai.

Sa i përket dorëheqjes, Gashi tha se “arsyeja ime e dorëheqjes ka qenë se drejtori është shkarku në periudhën tetor 2018. Është arsyetu me performancë të dobët por në parametrat për 3 vjet sa kam qenë aty ka qenë periudha më e suksesshme”.

Gashi tha se në këtë pozitë ka qëndruar nga dhjetori i vitit  2015 deri në tetor 2018.

Deputeti i AAK-së Bekë Berisha, kërkoi nga Gashi të dijë se a ka informacion për djegien e dokumentacionit të privatizimeve ku ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu kishte thënë se janë djegur.

Ndërsa edhe Gashi beson se ai dokumentacion duhet të jetë diku.

“Ai dokumentacion duhet të jetë dikun. Por unë nuk mund ta them definitivisht”, tha ai .

Berisha në këtë mbledhje ka reaguar edhe për deklaratat e ish kryesuesit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexha, i cili gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për mbi procesin e privatizimit në Kuvendin e Kosovës kishte thënë se  “po më dhimbset toka e Kosovës me u shitë 1 euro ari”.

Berisha tha se Rexhës nuk iu është dhimbsur toka pasi tha se ka informacion se e ka votuar edhe për 50 cent për ta shitur tokën.

“Atij nuk iu kish dhimt sepse edhe për 50 cent e kish qu dorën”, tha Berisha.