Ish-Ministri Sadriu: Fabrikat e privatizuara u shitën për troje

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu, është shprehur i zhgënjyer me privatizimin në Kosovë. Sadriu, sot ka raportuar në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Sadriu tha se në kohën sa ishte ministër në kohën kur kishte nisur privatizimi në vitet 2002-2004, ishte dhe pjesë e Bordit të parë të AKM-së (tash AKP). Ai tha se procesi nuk i ka arritur  objektivat dhe se kishin ardhur, sipas tij, ekspertë ndërkombëtarë me simpati nga Beogradi dhe se ishin djegur një pjesë e dokumenteve në vitin 2008.

Sadriu tha se ndërmarrjet të cilat janë privatizuar ka pritur që ta zhvillonë veprimtarinë e tyre, por ato sipas tij janë shitur për troje.

“Zhgënjimin ma të madh e kam përjetu kur shumicën e rasteve objektet janë blerë për t’u shitë si troje ose për duke u shitë pajisjet që kanë qenë brenda. Ne pak kemi privatizu. Kam pritë që së paku ato ndërmarrje do ta vazhdojnë veprimtarinë e vet. Dhe punësimi jo që do të largohen por të punësohen edhe më shumë. Rezultati i saj krijoi papunësi që normalisht rrejdhojë e saj është edhe niveli ekonomik në të cilin jemi sot”, tha ai.

Sadriu ka përmendur Fabrikën e Mobiljeve në Ferizaj dhe Fabrikën e Vajit.

“Fabrika e mobiljeve në Ferizaj ka qenë kampion në Kosovë ka pas eksporte edhe në Amerikë. Për prodhimet e saj ka pas nevojë shumë në treg. Ajo është shitë dhe janë bërë troje. Fabrika e Vajit ka qenë fabrikë që tregun e Kosovës e ka mbulu dhe e ka mbulu edhe bujqësinë. Edhe sot ne vazhdojmë tash të importojmë. Unë jam shumë i zhgënjyer në këto procese”, tha ai.

Sadriu tregoi se në vitin 2008 një pjesë e dokumentacionit në AKM është djegur dhe sipas tij askush nuk e ka hetuar këtë rast.

Sadriu tha se bordi ka qenë unik, pavarësisht që sipas tij disa ndërkombëtar kanë ardhur me simpati të vecantë nga Beogradi.

“I vërejtëm disa gjëra që në fillim punët nuk do të shkonin mirë. Ata kanë qenë njerëz me përvojë, në fund kanë ardhë prej Beogradit me një simpati të veçantë. Ne nuk e kemi pas lehtë por mendoj se e kemi kry detyrën tonë dhe sot unë jam ballëhapur”, tha ai.

Kryetari i Komisionit Hetimor Hajrullah Çeku, këroi nga Sadriu t’i identifikojë grupet që kanë qenë shkaktar të kësaj gjendje.

Sadriu tha se i ishte përvjedhur një lëshim në atë kohë lidhur me privatizimin e një ndërmarrje ku kishin umbje prej 1 milion e 50 mijë euro.

“Ishte përvjedhë një lëshim atë kohë që nëse ofertuesi i parë heq dorë nga tenderi mund ta merr i dyti. Mendimi i ynë ishte që mund ta merr i dyti por jo me çmimin që e ka ofru por me çmimin e të parit. Tenderi ka qenë rreth 3 milionë. 1 milion e 50 mijë euro ndryshimi ishte ne nuk kemi pranu, janë mbajtur disa seanca në fund e kemi miratu që nuk u pranu oferta e ofertuesit. Ai më vonë ka shku në gjykatë dhe ka fitu”, tha ai.

Liburn ALiu, deputet i LVV-së kërkoi të dijë nga Sadriu se cili ka qenë synimi i ndërkombëtarëve ndërsa Sadriu tha se ka pasur edhe ndërkombëtarë që  kanë ndihmuar shumë procesit. Por, sipas tij, kishte edhe edhe shumë profesionistë veprimet e të cilëve nuk i kanë pëlqyer pasi ata “kishin punu në Beograd fillimisht e pastaj kanë ardhë në Kosovë”.