Deputeti i AAK-së: Kam informacione që Blerim Rexha ka votuar shitjen e një ari tokë për 50 centë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës së ish kryesuesit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexha, i cili gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për mbi procesin e privatizimit në Kuvendin e Kosovës kishte thënë se  “po më dhimbset toka e Kosovës me u shitë 1 euro ari”.

Berisha tha se Rexhës nuk i është dhimbsur toka pasi tha se ka informacion se e ka votuar për ta shitur një ari tokë edhe për 50 centë.

Berisha kërkoi nga komisioni t’i marrin transkriptet e bordit.

“Njëri që ka punu aty sikur ti dhe u bë mediale që iu ka dhimtë shumë toka e Kosovës me shitë 1 euro duhet me marr transkriptën sepse unë kam informacion që atij nuk iu kish dhimtë sepse edhe për 50 cent e kish çu dorën”, tha ai duke iu referuar deklaratës së Blerim Rexhës javën e kaluar.

Këtë deklaratë Berisha e bëri gjatë mbledhjes së Komisionit ku ishte duke raportuar ish-kryesuesi i bordit të AKP-së, Petrit Gashi.