Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli fajëson shtetet anëtare të BE-së për mos liberalizimin e vizave

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli me rastin e Ditës së Europës ka thënë se aspirata e popullit të Kosovës ka qenë tradicionalisht të bashkohet me familjen evropiane dhe institucionet e saj.

Pacolli mes tjerash ka kritikuar vendet anëtare të BE-së që sipas tij, nuk po i japin Kosovës liberalizimin e vizave.

“Por të qenit vendi më pro-perëndimor dhe më pro-evropian nuk u shpërblye për popullin e Kosovës. Përkundër zbatimit të të gjitha reformave të kërkuara dhe rekomandimit të dhënë nga Komisioni Evropian, vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk u japin udhëtimin pa viza Kosovës. Ata nuk e respektojnë popullin e Kosovës dhe e marrin orientimin e tyre pro-evropian si të mirëqenë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

“Për aq kohë sa populli i Kosovës nuk mund të udhëtojë lirshëm në BE dhe mbetet kombi më i izoluar nga Evropa, BE do të jetë një aktor i dobët dhe i paaftë në Ballkanin Perëndimor. Besueshmëria e saj është në pyetje”, ka shtuar kreu i AKR-së.

Politikanët kosovarë në vazhdimësi kanë premtuar dhe kremtuar për heqjen e vizave, ndonëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani.

Dita e Europës dhe 70 vjetori i themelimit të Bashkimit Europian edhe kësaj radhe e gjejnë Kosovën të vetmin shtet në rajon pa liberalizim të vizave.

Vizat, storia dëshpëruese e Kosovës me Bashkimin Europian