Foto: Atdhe Mulla

Mashtrimi i dekadës - 2 vjet nga ‘liberalizimi i vizave’

2 vite më parë, nën tymin e gazit lotsjellës e me deputetë të arrestuar, i erdhi fundi një epoke disa vjeçare të diskutimeve politike e shkencore në lidhje me kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Deputetët e legjislaturës së kaluar, me 80 vota pro e ratifikuan demarkacionin me Malin e Zi.

3 vite diskutime në Parlament e në studio televizive, me protesta në rrugë e në Kuvend. Me deputetë e qytetarë të arrestuar. Me sulme me vezë ndaj qeveritarëve e deputetëve, e në fund me rrëzim të Qeverisë së Isa Mustafës. Ky ishte epilogu i dramës ‘Demarkacion’.

Kjo marrëveshje ndërkombëtare u nënshkrua me 26 gusht të 2015 në Vjenë nga Hashim Thaçi, që ishte ministër i Punëve të Jashtme, e pjesë e qeverisë së Isa Mustafës.

Përveç Thaçit, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes prezentë kanë qenë edhe ish-kryeministri Mustafa dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.

Opozita e atëhershme, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kishin filluar kundërshtimin me metoda të ndryshme. Më e famshmja ishte ajo e hedhjes së gazit lotsjellës brenda seancës plenare, e cila pengoi punimet e Kuvendit në disa seanca.

Zyrtarë të shumë evropian kishin vizituar Kosovën gjatë kësaj periudhe e kishin dhënë deklarata publike, duke i kërkuar Kosovës ta ratifikojnë këtë marrëveshje kufiri.

Çuditërisht, ratifikimi i kësaj marrëveshje ishte bërë kushti kryesor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Përfaqësuesja e BE-së në atë kohë, Federica Mogherini e kishte potencuar disa herë se Kosova do të merr liberalizimin e vizave, me kalimin e Demarkacionit në Kuvend.

Zgjedhjet e 2017, krijuan një koalicion të çuditshëm parazgjedhor. AAK, që ishte një nga kundërshtarët më të mëdhenj të marrëveshjes për kufirin, u bë bashkë me PDK-në, e cila kishte qëndrim krejtësisht të kundërt me AAK-në, në raport me demarkacionin. PDK besonte se Kosova nuk humbë asnjë pjesë të territorit me këtë marrëveshje.

Ky koalicion i fitoi zgjedhjet dhe 7 muaj më vonë, me Haradinajn kryeministër kjo marrëveshje u ratifikua në Kuvend. Bashkë me të edhe një deklaratë e presidentëve, të Kosovës e të Malit të Zi, se kjo marrëveshje do të rishikohet në pikat ku ka dyshime.

2 vite më vonë, zyrtarisht as një hap nuk është ndërmarrë për rishikimin e këtij demarkimi. Çakorri, vazhdon të mbetet me Malin e Zi.

Por, përveç Çakorrit, edhe qytetarët e Kosovës mbetën në Kosovë. Ata u gënjyen nga politikanët e nga zyrtarët e lartë të BE-së.

Liberalizimi i vizave nuk u bë kurrë.

“Lajme të mira nga Prishtina: Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Kosova po shkon drejt liberalizimit të vizave nga BE për qytetarët e saj”, kishte shkruar saktësisht 2 vite më herët Federica Mogherini.

Mogherini tash nuk është më përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri. E as Kosova e qytetarët e saj nuk kanë liberalizim të vizave.

https://kallxo.com/lajm/mijera-dite-diskutime-per-demarkacionin/

Sot, vendin e Mogherinit e ka marrë spanjolli Josep Borrell.

Në zyrat evropiane tashmë nuk po diskutohet ‘fare; për liberalizimin e vizave. Tema kryesore, kur flitet për Kosovën është nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Historiku i Demarkacionit

Marrëveshja ishte nënshkruar nga dora e ministrit të atëhershme të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, tani president, më 26 gusht 2015, në kryeqytetin e Austrisë.

Përveç Thaçit, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes prezentë kanë qenë edhe ish-kryeministri Mustafa dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.

Kjo marrëveshje që ishte nënshkruar vetëm një ditë pas marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, u bënë dy nga temat kryesore gjatë mandatit të qeverisë Mustafa.

Partitë opozitare të asaj kohe, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma krijuan një bosht opozitarë duke kundërshtuar ashpër këto dy marrëveshje ndërkombëtare.

Përveç opozitarëve, mbështetje kundërshtimeve të tyre u kishin dhënë edhe disa deputetë të pushtetit, e më i zëshmi nga ta, tani deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetar i komisionit shtetëror për caktim të kufijve shtetëror, Shpejtim Bulliqi. Në atë kohë, Bulliqi ishte pjesë e LDK-së.

Ishin mbajtur me dhjetëra protesta e aksione të partive opozitare. Ishin mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës ishin arrestuar, kryeministri ishte sulmuar, deputetët ishin ofenduar mes vete, mirëpo skena më e përsëritur në të gjithë këtë histori politike është hedhja e gazit lotsjellës.

Një pjesë e madhe e deputetëve të opozitës së asaj kohe ishin arrestuar dhe tërhequr zvarrë nga Policia e Kosovës për shkak të këtyre veprimeve, që njëra palë i quante politike, e tjera penale.

Shumë prej seancave të Kuvendit të Kosovës nuk kishin arritur të mbahen për shkak të hedhjes së gazit, ndërsa shumë tjera ishin mbajtur nën tymin e gazit apo në salla tjera alternative e jo në atë plenare.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte sulmuar me armë të rënda dhe ishte cilësuar si sulm terrorist.

Në lidhje me këtë rast ishin arrestuar 6 aktivistë të VV. Njëri nga ta, Astrit Dehari ka vdekur në mënyrë misterioze në burgun e Prizrenit ku ishte duke u mbajtur në paraburgim.

Ky rast ende është duke u trajtuar.

Të tjerët ishin dënuar në shkallë të parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pastaj apeli e ka kthyer në rigjykim rastin e tyre.

Pak para se demarkacionit të shkoj në Kuvend për miratim, Donika Kadaj Bujupi që kishte folur me vite për humbje territori për shkak të kësaj marrëveshje, kaloi në partinë e saj të parë. Nga Vetëvendosje ajo kaloi në AAK, meqë rast edhe u bë vota e 80 e demarkacionit, aq sa duheshin për ta mbyllur ciklin gati 2 mijë ditor të diskutimeve për demarkacionin.

Në fund, Demarkacioni me Malin e Zi ishte votuar më 21 mars të vitit të kaluar me 80 vota pro, të deputetëve të LDK-së, PDK-së, AAK-së e Nismës, por jo edhe të Vetëvendosjes e PSD-së.

Mashtrimi 1 vjeçar për vizat