Flamuri i Kosovës dhe ai i BE-së - Foto: REL/AFP

Vizat, storia dëshpëruese e Kosovës me Bashkimin Europian

Dita e Europës dhe 70 vjetori i themelimit të Bashkimit Europian edhe kësaj radhe e gjejnë Kosovën të vetmin shtet në rajon pa liberalizim të vizave.

Në këtë ditë të shënuar në kalendarin europian, përfaqësues politik dhe të institucioneve vendore bënë thirrje për lëvizje të lirë të kosovarëve drejt përmbushjes së synimit për tu bërë pjesë e BE-së.

Ndërkaq, njohës të integrimeve europiane vlerësojnë se mos liberalizimi i vizave ka shkaktuar një rënie të besueshmërisë së BE-së në Kosovë.

Me rastin e këtij përvjetorit, presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova, pavarësisht sfidave, synim të vetëm strategjik ka orientimin euroatlantik dhe pranimin në BE dhe NATO.

“U bënë 70 vjet që nga koha kur ideja për zhvillim ekonomik mes shteteve themelore të kontinentit të vjetër u bë bazë e forcimit të paqes, prosperitetit dhe vizionit të Bashkimit Evropian.Kosova si shtet i ri dhe sovran falënderon të gjitha shtetet evropiane që dhanë kontribut historik për lirinë dhe pavarësinë tonë”, shkroi Thaçi në Facebook, e që ndryshe prej rasteve të tjera kur është shprehur kritik ndaj BE-së për vizat, kësaj radhe nuk e ka përmendur një gjë të tillë.

Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar Ditën e Europës, duke deklaruar se Kosova shikon kah Bashkimi Europian.

“Ne shikojmë kah Bashkimi Evropian. BE-ja duhet të kujdeset për ne. Ballkani Perëndimor dhe BE-ja janë ekonomikisht dhe gjeopolitikisht, historikisht dhe kulturalisht, shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrin. Progresi Evropian varet nga të kuptuarit e kësaj”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka shtuar se ndërsa shënohet këtë ditë, të kujtohet se paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit të dhunshëm, por prania aktive e drejtësisë së vërtetë.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani me rastin e 9 majit – Ditës së Europës ka deklaruar se mbajtja e “popullit më proeuropian”, popullit të Kosovës, të izoluar është në kundërshtim me vlerat e mishëruara të BE-së.

Sipas saj, çdo skenar i pranuar për ndryshim kufijsh të vendeve që aspirojnë integrimin në BE është po ashtu në kundërshtim me këto vlera.

“Duke promovuar fillimisht bashkëpunimin tregtar e pastaj edhe diversitetin kulturor e etnik, Bashkimi Evropian u shndërrua në projektin që jetësoi zhvillimin ekonomik, krijoi mirëqenie për qytetarin dhe u shndërrua në entitetin që u bë sinonim i paqes dhe i stabilitetit në botë. Andaj, Kosova orientim të qartë strategjik e ka anëtarsimin në Bashkimin Evropian”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Visar Xhambazi hulumtues i politikave në Institutin Demokraci për Zhvillim (D4D) thotë për KALLXO.com se “saga” e liberalizimit të vizave është një ndër storiet më dëshpëruese në Kosovë.

“Jo vetëm sepse është tej zgjatur si proces, por për faktin se Bashkimi Evropian për dy vite me radhë nuk ka liberalizuar vizat me gjithë rekomandimin e Komisionit Evropian në qershor të 2018-s se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Kjo ka shkaktuar një rënie të kredibilitetit të BE-së në Kosovë, qytetarët e së cilës janë më pro evropianët në rajon”, vlerëson ai.

Sa i përket raporteve të Kosovës me pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, Xhambazi thekson se ka ndodhur një përparim relativ.

“BE ka zgjedhur Miroslav Lajçak, i cili vie nga një shtet mosnjohës (Sllovakia), që të shërbejë si Emisar i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi. Me gjithë skepticizmin që mbizotëron në Kosovë për përzgjedhjen e Lajçak si emisar, kjo mund të përdoret si mundësi pozitive nga Kosova. Nëse Qeveria e Kosovës tregohet bashkëpunuese gjatë dialogut, kjo mund të dikojë në përmirësimin e raporteve të Kosovës dhe Sllovakisë. Duhet ta kemi parasysh se Lajçak ka qenë ish ministër i jashtëm i Sllovakisë para se ta marrë detyrën e re”, thotë ai.

Hulmtuesi nga D4D-ja shton se një zhvillim interesant ka ndodhur në Spanjë, pasi Pedro Sanchez është bërë kryeministri i parë spanjoll i cili ka vendosur të marrë pjesë në një Samit ku prezente është edhe Kosova.

“Kjo ngjarje përbën një hap pozitiv për Kosovën dhe përmirësim të çasjes së Spanjës kundrejt Kosovës. Paraardhësi i Sanchez, Mariano Rajoy, kishte refuzuar në disa raste të merrte pjesë në takime zyrtare ku Kosova ishte present”, thekson ai.

Xhambazi tutje shton s edhe këtë përvjetor euopian, Kosova ballafaqohet me problemet e njëjta.

“’Raporti i Progresit’ pothuajse çdo vit potencon problemet e njëjta që ballafaqohet Kosova. Problemet dhe sfidat siç janë korrupsioni, nepotizmi, papunësia, kapja e shtetit, tashmë janë bërë klishe në diskursin publik Kosovar”, tha ai për KALLXO.com.

Sipas tij, gjithashtu Kosova po ballafaqohet me një krizë juridiko-kushtetuese “si rezultat i manovrave morbide të partive politike në Kosovë, sikur të mos majftonte kriza e pandemisë COVID-19”.

“Kosova, si një demokraci e re, ka shumë rrugë për të bërë. Prandaj, është e domosdoshme që Kosova të arrijë një maturi politike, me funksionim normal të institucioneve dhe me qeveri të cilat përfundojnë mandatin e tyre katër vjeçar. Reformat kualitative nuk mund të arrihen pa një qeverisje stabile”, vlerësoi ai.