Osmani takon komandantin e ri të KFOR-it, flet për rëndësinë e koordinimit me misionin paqeruajtës

Pas marrjes së detyrës së komandantit të KFOR-it, presidentja e së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot  në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

Presidentja ka shprehur mirënjohje për përforcimin e trupave të KFOR-it në Kosovë.

“Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit në përballjen me sukses ndaj sfidave e kërcënimeve të hapura nga Serbia që tentojnë të cenojnë sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të vendit, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit”- thuhet në njoftim.

Tutje ajo e ka uruar për marrjesin e detyrës së komandantit të KFOR-it duke shprehur besimin e plotë për bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.

Nga ana e tij, Gjeneral Ulutaş, ka theksuar se do të bashkëpunojë ngushtë me presidenten dhe të gjitha institucionet e tjera vendore për të realizuar përgjegjësinë e tij në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së paqes dhe stabilitetit bazuar në mandatin e misionit të KFOR-it në Kosovë.

Me 10 tetor në Prishtinë gjeneralmajori italian Angelo Michele Ristuccia ka dorëzuar postin e komandantit të KFOR-it tek gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash, gjatë një ceremonie të mbajtur në selinë e misionit të KFOR-it të NATO-s në Prishtinë.

Ulutash merr komandën e misionit për një mandat një vjeçar, si komandant i 28-të i KFOR-it.

Gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash merr komandën e KFOR-it në Kosovë