Osmani takohet me raportuesen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Dora Bakoyannis, raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, Osmani e ka cilësuar jo vetëm prioritet i Republikës së Kosovës, por edhe domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Në njoftim thuhet se ajo ka shprehur mirënjohje për vizitën e raportueses Bakoyannis për përgatitjen e opinionit, i cili do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, duke shfaqur besimin për një proces të drejtë dhe të bazuar në merita.

“Kosova ka inkorporuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare në Kushtetutën e saj, duke siguruar të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë  komunitetet joshumicë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike, siç është dëshmuar edhe nga vlerësimi i disa organizatave ndërkombëtare”- ka thënë Osmani.

Në prill të këtij viti Kosova ka bërë një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës, kjo pasi që Komiteti i Ministrave mori vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Këshilli i Europës i themeluar më 1949 është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Këshilli i Europës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.